Kosova në Guinness, Bujar Muli mbajti mbi trup 2,000 kilogramë!


Sportisti kosovar, Bujar Muli, arriti të shkruajë histori, duke thyer rekord botëror në kuadër të Guinness World Records, pasi mbajti mbi trup 2000 kilogramë, duke u bërë i pari në botë që arrin këtë rezultat.
Ngjarja u zhvillua në sallën e sportit “Jeton Tërstena” në Vushtrri, në praninë e jurisë zyrtare të Guinness-it, e cila e cilësoi këtë arritje si një dëshmi të jashtëzakonshme të forcës fizike dhe qëndrueshmërisë mendore.
“Rekordi i tentuar sot ishte një shfaqje vërtet mbresëlënëse e forcës, jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht”, u shpreh përfaqësuesi i jurisë.
Pas suksesit, Muli u shpreh i kënaqur për arritjen, duke theksuar vlerën e këtij rekordi.
“Ky çmim është një çmim shumë i vlefshëm, pas shumë sakrificash, ushtrime, lëndime, arritëm ta… kurorëzojmë, me… finalizojmë një rekord prej 2000 kg, ku nuk ka mundur deri sot askush m’i mbajt 2000 kg pjesën e përparme të automjetit”, tha ai.
Ai shtoi se është krenar që për herë të dytë e fut Kosovën në Librin e Guinness-it.
“Jam shumë i kënaqur që unë shtetin tim, qytetin tim kam arritur me shtyrë në një libër prej librave më të famshëm që është në botë”, u shpreh Muli.
Ai kërkoi më shumë përkrahje institucionale për sportistët, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes financiare për arritje në arenën ndërkombëtare.
“Po në qoftë se e shohin këtë video, atëherë unë ju them se në Kosovë ka njerëz shumë të fortë, vetëm se duhet t’i përkrahim pak më shumë. Me më shumë mbështetje ka mundësi që sportistët kosovarë të arrijnë suksese edhe më të mëdha në gara botërore”.
Ndërsa, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, e vlerësoi lart këtë sukses, duke vënë në dukje rëndësinë që ka për qytetin dhe Kosovën.
“Unë e besoj fuqishëm që Bujari do ta thyejë këtë rekord dhe do të vazhdojë me Librin e Ginisit si një ndër protagonistët kryesorë në arenën ndërkombëtare tek ky sport sfidues”, tha Idrizi.
Ngjarja u përcoll me interesim të madh nga qytetarë të shumtë, ndërsa hyrja ishte e lirë për të gjithë të pranishmit./KP





































