Aleatja e Trumpit, Loomer: Po të isha presidente, do të urdhëroja eliminimin e Putinit

Laura Loomer, një nga përkrahëset dhe aleatet e njohura të presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar se, nëse do të ishte në Shtëpinë e Bardhë, do të urdhëronte eliminimin e presidentit rus Vladimir Putin.
Loomer, një influencuese e krahut MAGA (“Make America Great Again”) dhe mbështetëse e afërt e Trumpit, tha se sipas saj lideri rus ka frikë nga presidenti amerikan, por shtoi se Uashingtoni mund të ndiqte një qasje shumë më të ashpër ndaj Kremlinit.
“Po të isha presidente, do të gjeja një mënyrë që Putini të vdiste papritur nga një atak në zemër”, tha Loomer, duke e paraqitur deklaratën si një mendim personal.
Ajo u përpoq të sqaronte se nuk po i bënte thirrje Trumpit që të ndërmerrte një veprim të tillë, por vetëm po shprehte pikëpamjen e saj mbi mënyrën se si duhet trajtuar udhëheqja ruse.
Deklarata e Loomer vjen në një periudhë tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe debatit mbi strategjinë amerikane ndaj Moskës.
Ajo njihet për qëndrimet e saj të forta politike dhe për afërsinë me rrethin e Trumpit, duke qenë një nga figurat më të zëshme të krahut të tij mbështetës. /Telegrafi/








































