LAJMI I FUNDIT:

Albumi “Rrugës” – dhurata e artistit Shpat Deda për Vitin e Ri 2021

Kanautori i njohur, Shpat Deda, publikoi në fund të dhjetorit albumin e tij më të ri “Rrugës”.

Albumi i cili erdhi si dhuratë për fansat për festat e fundvitit, përfshin brenda tij 12 krijime interesante të artistit, të cilat tashmë janë pritur mirë nga publiku.


Në një intervistë për Telegrafin, Shpati ka treguar detajet e albumit të tij më të ri dhe në përgjithësi procesin për finalizimin e tij.

“Këngët t’i kompozoj ka katër vite që kam nisur. Ai proces merr më shumë kohë deri sa të vij në një numër të këngëve që ndjehem rehat të përfshihen në një album edhe më pas njëfarë lloj lidhje mes njëra-tjetrës në album, qoftë ajo emocionale ose në lidhje me atë që e përçojnë, e mandej incizimin e kam bërë për pjesën më të madhe të tij vjet (2019) në maj, në Studio C në Prishtinë, edhe albumi është realizuar komplet. Ka qenë i gatshëm prej fillimit të këtij viti, por për shkak të covidit, më është dashur të bëj një tjetër strategji të lansimit sepse kam pasur në plan ta realizoj me herët. Albumin siç e thash e kam realizuar në Studio C në bashkëpunim me Dritor Nikqin, gjithashtu bashkëpunëtor i afërt edhe Besim Maxhuni edhe një numër i madh i muzikanteve të vendit, të cilët të gjithë mundeni t’i gjeni në www.shpatdeda.com, aty është një vegëz ku janë të gjithë pjesëmarrësit, edhe i falënderoj shumë të gjithë që kanë qenë pjesë e albumit”, ka thënë Shpat Deda për Telegrafin.

Shpat Deda gjatë intervistës në Telegrafi.com (Foto: Telegrafi)

Por përse “Rrugës”? Cila është arsyeja që e çoi artistin deri te vënia e këtij titulli për albumin e tij?

“Për shkak se ne gjithmonë jemi ‘rrugës’. Jeta është njëfarë udhëtimi që ka një fillim dhe një fund dhe rrugës ndodhin shume gjëra, edhe unë kam vendosur të shkruaj për disa prej tyre”, ka thënë ai.

Shpat Deda gjatë intervistës në Telegrafi.com (Foto: Telegrafi)

E veçanta e albumit “rrugës” është se çdo këngë është e shoqëruar me nga një ilustrim grafik shumë të veçantë.

Në vazhdimësinë e bisedës, Shpati tregoi për Telegrafin se si erdhi deri te isaje për konceptimin e këngëve të albumit në këtë formë.

“Ka qenë dëshira ime me pas ka një ilustrim i cili në mënyrë vizuale e përçon emocionin ose mundohet me kap emocionin e së cilës këngë dhe ta përçojë përmes një vizatimi edhe kam biseduar me Daniel Mulloy, i cili i ka bërë ato ilustrime, krejt janë ilustrime origjinale që janë bërë për albumin edhe mandej këto ma kanë mundësuar që ta paketoj albumin në këtë formë të cilën e kam paketuar, duke e bërë një uebfaqe, ku krejt këngët janë të listuara aty, secila këngë me fotografinë e vet, dhe në momentin që klikohet secili prej këtyre ilustrimeve, dërgohet në YouTube, për shkak se albumin e kam lansuar edhe në YouTube me dëshirën që ai të dëgjohet prej të gjithëve pa dallim, me pas një qasje të hapur të dhuratës për fundin e këtij viti (2020) të çuditshëm. Krahas YouTube, albumi është edhe në të gjitha platformat e muzikës online”, ka thënë Shpati.

Shpat Deda gjatë intervistës në Telegrafi.com (Foto: Telegrafi)

Muzika që artisti Shpat Deda sjell është ndryshe nga ajo komercialja që e dëgjojmë te këngëtarët më të dëgjuar të momentit.

Përkundër “vështirësive”, ai ka preferuar të mbajë një audiencë më të vogël të dëgjueshmërisë, duke kultivuar zhanrin e mirëfilltë të cilin e ka edhe pasion.

“Unë e kam njëfarë debataze të fansave të mi, njerëzit të cilët më dëgjojnë mua. Unë jam i vetëdijshëm për çfarë lloji të muzikës e kultivoj edhe për masivitetin që mundem me arrit me këtë muzikë. Sa i përket dëgjueshmërisë në masë, jam i kënaqur me aq sa dëgjohet. Kur po thua për ‘mbijetesë’, Kosova është treg shumë i vogël që të mbijetosh me muzikës që nuk është komerciale. Duhesh me qenë komercial për të mundur të arrish të fitosh diçka, megjithatë nuk është që nuk fitohet. Tjetër punë është që unë muzikën e kam më shumë pasion se sa profesion, edhe mbijetesën e kërkoj tjetër kund, e kom profesion tjetër edhe nuk kom provuat kurrë që t’i qasem muzikës tamam si biznes. E kam ruajtur një qasje të pasionit me të, por e kam një ndjenjë që me iu qas ashtu, atëherë “po”, do kisha mundur të mbijetoja prej saj”, tha tutje këngëtari Deda.

Shpat Deda gjatë intervistës në Telegrafi.com (Foto: Telegrafi)

Ashtu si në të gjithë botën, pandemia globale COVID-19 i ka shkaktuar ngecje edhe Shpatit, i cili për Telegrafin zbuloi se ndër problemet më të mëdha që pandemia ia shkaktoi ishte vonesa në publikimin e albumit.

“Pandemia mi ka prishur disa plane. Ky album është një prej tyre sepse dëshira ka qenë ta lansoj dhe ta shoqëroj me koncerte ku munden njerëzit të vijnë pa gajle. Por duke e marrë parasysh këtë situatë mu ka dashtë të adaptohem, njëkohësisht koncerte s’kam mundur të mbaj tërë vitin, s’jam i vetmi, plot muzikantë e kanë vuajtur këtë, kështu që nuk mund të them që nuk më ka afektuar, kështu që i ka pasur edhe ditët e mira edhe të këqija”, ka thënë Shpat Deda.

Shpat Deda gjatë intervistës në Telegrafi.com (Foto: Telegrafi)

Duke qenë se kemi hyrë tashmë në vitin 2021, ai ka një urim të veçantë për fansat e muzikës së tij, duke shpresuar që ky vit të jetë më i mirë se ai që lamë pas.

“Të gjithëve ju uroj përfundimin e këtij viti (2020), me shpresën se 2021 ka me qenë pak më i mirë. Edhe për përfundimin e këtij viti prej meje e keni një dhuratë, në www.shpatdeda.com, mundeni me u fut për ta dëgjuar albumin tim më të ri “Rrugës” ose në YouTube falas për të gjithë juve që nuk keni qasje në platformat digjitale”, përfundon Shpat Deda. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

Magazina
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Magazina

"Je surpriza e këtij Big Brother" - Meriton Mjekiqi emocionohet nga mesazhi që merr në 'Big Love'

Magazina
Ada Satka - artistja shqiptare që qëndron prapa këngës përfaqësuese të Gjeorgjisë në 'Eurovision 2024'

Ada Satka - artistja shqiptare që qëndron prapa këngës përfaqësuese të Gjeorgjisë në 'Eurovision 2024'

Magazina
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Kalo në kategori