Albin Kurti me urim për Donjeta Sadikun: Një fitore e madhe për sportin e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar boksieren Donjeta Sadiku dhe trajneren Mariola Sallauka për medaljen e artë të fituar në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Donjeta Sadiku sot (e enjte) triumfoi në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, ku mposhti boksieren ruse që përfaqësoi Serbinë, Kristina Kuluhova.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti e ka vlerësuar lart suksesin e boksieres kosovare, duke e cilësuar atë si një arritje të madhe për sportin e Kosovës.
“Sapo morëm një lajm të jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’. Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, ka siguruar medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë”.
“Ajo ka triumfuar në finale ndaj ruses Kristina Kuluhova, e cila garoi për Serbinë. Ky është një sukses i madh për Donjetën, për ekipin tonë që ndodhet në Taranto, për boksin dhe për gjithë sportin e Kosovës. Donjetës dhe trajneres Mariola Sallauka urime për këtë fitore të madhe!”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Telegrafi/












































