LAJMI I FUNDIT:

Ai që sundon valët e sundon botën dhe Kriza e Detit të Kuq do të tregojë nëse kjo është e vërtetë

Ai që sundon valët e sundon botën dhe Kriza e Detit të Kuq do të tregojë nëse kjo është e vërtetë
Pamje nga ura e kontrollit e anijes mbretërore “Diamond”, teksa raketat hidhen në terrenin që rebelët huti përdorin për sulmet në Detin e Kuq (foto: AP)

Nga: Kim Darroch / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Të premten të gjithë ne u zgjuam me lajmet për sulmet ajrore të ShBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar [MB] në Jemen. Ekranet tona televizive ishin të mbushura me imazhet e bombarduesve të RAF-it [Forcat Ajrore Mbretërore] që ngriheshin në qiellin e natës mesdhetare, si dhe me shpërthimet në dukje të rastësishme që ndriçonin shkurtimisht peizazhet e errësuara pa emër – si në ndonjë video-lojë me lëvizje të ngadaltë. Por, këtu përfshihen objektivat realë strategjikë dhe njerëzit e vërtetë: pilotët britanikë dhe amerikanë që rrezikojnë jetën e vet dhe jemenasit në terrenin nën ato bomba.


Është grup i imazheve jashtëzakonisht të njohura që evokojnë bombardimet amerikane, të MB-së dhe të Francës në Siri më 2018, bombardimet britaniko-franceze kundër forcave të Muammar Gaddafit në Libi më 2011 dhe fushatën “trondit dhe frikëso” në Irak më 2003. Si mbaruan këto? Jo aq mirë. Por, as njëra nga këto që nuk ndodhi: sulmet propozuara ajrore nga ShBA-ja, MB-ja dhe Franca, të udhëhequra nga Obama kundër forcave të Bashar al-Assadit – pasi në vitin 2013 ky i fundit i përdori armët kimike kundër popullsisë së vet.

Në gusht të vitit 2013 isha këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar. Më kujtohet qartë se isha ulur në bodrumin Nr. 10, gjatë një pasditeje të së shtunes me diell, duke e dëgjuar një bisedë telefonike të Barack Obamas me David Cameronin. Propozimi i ShBA-së ishte i kufizuar: sulme “kirurgjikale” ajrore mbi forcat qeveritare siriane, nëse është e mundur sa më shpejt – që të dielën në mbrëmje. Por, inspektorët e OKB-së ishin ende në Siri dhe orari ndryshoi, duke lejuar një kohë për diskutimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të Kabinetit dhe, fatmirësisht, mbledhjen e Parlamentit.

Siç do të tregojnë përfundimisht të dhënat publike, ka qenë një proces i rregullt. Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria hezituan për planet dhe objektivat e SHBA-së dhe arritën në përfundimin se – larg nga tronditja dhe frika – propozimi ishte, mos asgjë tjetër, shumë i kufizuar, tepër kirurgjikal dhe sinjal mjaft i ashpër për Assadin. Ministria e Jashtme e analizoi reagimin e mundshëm ndërkombëtar. Avokatët e shtruan rastin për këtë veprim – se është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ministrat e Kabinetit me dukje solemne, folën një nga një me radhë: shumica e mbështetën, dy ishin të lëkundur. Ishte antiteza shumë e kritikuar e “qeverisjes së divanit”. E, megjithatë, në fund të fundit sa ia vlente kjo? Në Dhomën e Ultë të Parlamentit, deputetët votuan për të shfajësuar ndërgjegjen e tyre për mbështetjen për pushtimin e Irakut në vitin 2003 dhe mocioni humbi me 13 vota: hera e parë – që nga viti 1782 – që një qeveri britanike humbi në votimin për veprimet ushtarake.

Disa ditë më vonë, Obama braktisi planet e tij për sulmet ajrore të ShBA-së, duke u përcaktuar për një marrëveshje që përfshin premtimet siriane për të dorëzuar kapacitetet e tyre të armëve kimike. Obama më vonë pohoi se ishte një nga vendimet më të mira që mori ndonjëherë. Por, lexojeni autobiografinë e David Cameronit për pikëpamjen krejtësisht më ndryshe. Qeveria e Assadit përfundimisht e fitoi në luftën civile – me koston e shkatërrimit të plotë të vendit – ndërsa Rusia dhe Irani e zgjeruan shtrirjen dhe ndikimin e vet. Disa e panë këtë si kthesë strategjike nga ku Perëndimi kurrë nuk është rimëkëmbur. Pra, precedentët historikë janë dekurajues. Zmbrapsjet bënë që forcat perëndimore të zhyten në luftërat të pafundme në dukje. Zbythja ua dorëzoi territorin dhe avantazhin armiqve tanë. A mund të jetë këtë herë historia më ndryshe? Rasti për veprim është i fortë. Rreth 15 për qind e tregtisë globale kalon përmes Detit të Kuq. Sulmet e hutëve mund të kenë pretendimin se po e veçojnë transportin e destinuar për në portet izraelite, por realiteti është se ato janë pa dallim dhe se cak e kanë këdo që kalon. Ndërsa, dërgimi i anijeve të ngarkesave rreth rrugës shumë më të gjatë të Kepit të Shpresës së Mirë, i shton shumë kostot e transportit. Sipas analistit të transportit të anijeve që jeton në Kopenhagë, Peter Sand, për udhëtim nevojiten karburantet shtesë me vlerë prej një milion dollarëve. Këto kosto shtesë reflektohen në pazar dhe rrezikojnë përsëritjen e inflacionit posa bankat qendrore ta marrin këtë nën kontroll. Ato do t’i komplikonin problemet ekonomike në të dy anët e Atlantikut.

Vlerësimet zgjedhore për Bidenin janë në rënie, pjesërisht për shkak të dëshpërimit të përhapur në lidhje me ekonominë amerikane, ndërsa konservatorët [në Mbretërinë e Bashkuar] po përballen me përplasjen që përfshin rritjen e paktë ose inekzistente, një krizë të kostos së jetesës, kostot e larta të energjisë dhe të hipotekave, si dhe inflacionin e rëndë.

Dhe, a munden dy nga forcat më të fuqishme dhe më të avancuara ajrore në botë të zmbrapsin rreth 20 mijë vetë të milicisë së hutëve? Epo, ndoshta. Arabia Saudite dhe Emiratet, me aeroplanët e tyre të shtrenjtë të siguruar nga Perëndimi, i kaluan shtatë vjet duke u përpjekur për të bombarduar hutët deri në shkatërrim – dhe dështuan. Sulmet ajrore të ShBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar me siguri se do të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në aftësinë e hutëve, duke shkatërruar stacionet e radarëve, qendrat e komandës dhe të kontrollit, si dhe rezervat e dronëve, raketave dhe të helikopterëve. Por, nuk t’ia dalin me gjithçka. Iranianët duken se janë të gatshëm të paguajnë pa nda për rimbushjen e rezervave. Disa nga armët e kësaj lufte të veçantë, si dronët dhe varkat e vogla e të shpejta, janë të lira dhe mund të blihen me shumicë. Megjithatë, këto armë mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në anijet e mëdha dhe të shtrenjta perëndimore: ne e dimë nga Folklandet se sa shkatërrimtare mund të jetë një raketë e vetme. Pozicionimi i 20 luftanijeve amerikane në Mesdheun lindor dhe në Gji do të kushtojë me miliarda. Dhe, amerikanët e dinë se shumica e transportit detar që kalon nëpër Detin e Kuq dhe në Kanalin e Suezit është i destinuar për portet evropiane dhe jo ato amerikane.

E gjithë kjo do të thotë se ky është një operacion me rrezik të lartë, i mbushur me pasiguri. Megjithatë, ka diçka nga moda vjetër, pothuajse donkishoteske në lidhje me atë që po bëjnë Joe Bideni dhe Rishi Sunaku. Ata mund të mos e kuptojnë këtë, por në të vërtetë janë ndjekës të strategut të madh detar amerikan të shekullit XIX, Alfred Thayer Mahan, i cili në veprën e tij më të njohur, Ndikimi në histori i fuqisë së detit, ka thënë: “Ai që sundon valët e sundon botën”. Për më tepër, ata po e mbrojnë rendin botëror të pasluftës. E drejta ndërkombëtare duhet të mbizotërojë, vlerat perëndimore duhet të dominojnë, anarkia duhet të sfidohet, rendi duhet të rivendoset – dhe rrugët detare duhet të mbahen të hapura. Por, në këtë epokë të populistëve dhe të njerëzve të fortë, karrierat politike të Bidenit dhe Sunakut varen në një fije peri. Të dy përballen me zgjedhjet brenda 12 muajve të ardhshëm. Dhe, të dy ata qëndrojnë shumë keq në sondazhe. Kjo mund të jetë një pikë kthese për njërin ose tjetrin. Ose, mund të jetë gulçimi i fundit i rendit të vjetër. Unë vetëm shpresoj se kjo ndërhyrje e tyre do të ketë sukses. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale:  Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Lajme
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Wayne Rooney punësohet aty ku askush nuk e priste, pas shkarkimit nga Birminghami

Wayne Rooney punësohet aty ku askush nuk e priste, pas shkarkimit nga Birminghami

Ndërkombëtare
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Rikthimi i Vulinit në qeverinë e Serbisë, analistët në Beograd: Provokim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së

Rikthimi i Vulinit në qeverinë e Serbisë, analistët në Beograd: Provokim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së

Serbia
Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Lajme
Kalo në kategori