Igor Tudor beson se Andrea Cambiaso mund të luajë për Liverpoolin, Real Madridin ose Manchester Cityn 'së shpejti', por ai duhet të jetë më i qëndrueshëm dhe me formë të vazhdueshme.

Trajneri i Juventusit, Tudor, mendon se lojtari i kombëtares italiane, Cambiaso, ka potencialin të luajë në klubet më të mira në botë.


Mbrojtësi i krahut i gjithanshëm u lidh me një transferim te Manchester City në afatin kalimtar të janarit, por përfundoi duke qëndruar te Juventusi.

25-vjeçari ka bërë vetëm dy paraqitje në Serie A këtë sezon, pasi mori një karton të kuq direkt për sjellje të dhunshme në javën e parë, duke rezultuar në një pezullim prej dy ndeshjesh.

Gjatë një konference për shtyp të premten, Tudor u pyet nëse Cambiaso mund të luajë si mesfushor “box to box”, por taktiku kroat tha shumë më tepër në përgjigjen e tij.

“Ai mund të luajë si ‘mezzala’. Ai ka një mendje ndryshe, në një mënyrë të mirë. Si mbrojtës i krahut, ai i sheh gjërat si mesfushor. Ndonjëherë lëviz brenda dhe i ndjen pozicionet. U jap djemve pak liri për t’u përshtatur në fushë në mënyrën më të mirë sipas cilësive të tyre”, ka thënë fillimisht Tudor.

“Ai është një lojtar i nivelit të lartë. Ai duhet të jetë më i qëndrueshëm në performancat e tij dhe duhet të punojë e të rritet. Gjithmonë varet prej tij”.

“Potencialisht, ai është një lojtar për klubet më të mira në botë, por i takon atij të vendosë. Ai mund të luajë te Liverpooli, Real Madridi ose Manchester City, klubet më të mira në botë, por duhet të thotë: 'Do të shkoj atje sepse çdo të diel jam më i miri'. Nëse e thotë këtë, mund të shkojë të luajë atje së shpejti”, përfundoi kroati. /Telegrafi/

telegrafi sport app