LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti kërkon drejtësi për krimet e bëra gjatë luftës

Ahmeti kërkon drejtësi për krimet e bëra gjatë luftës

Rrëfimi i 36 vjeçares Vasfije Krasniqi-Goodman, e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta të figurave politike.

Kryetari i Partisë Social Demokratike (PSD), Shpend Ahmeti ka kërkuar drejtësi për krimet e bëra gjatë luftës.


Ai këto komente i ka bërë në profilin e tij në Facebook.

“Vasfije Krasniqi Goodman mbrëmë u bë guximi i Kosovës. E përdhunuar nga forcat serbe në moshën 16 vjeçare, Vasfija foli mbrëmë publikisht në televizionin publik për këto krime të pafolura të luftës. Luftoi krimin, luftoi paragjykimin dhe luftoi për të vërtetën. Deri më tani, storiet e përdhunimit ishin numra, e mbrëmë ato u bënë reale dhe edhe njëherë na përkujtuan mbi dhembjet e luftës e krimeve.Por më me rendësi se krejt është të ju themi e të punojmë që drejtësia të ngadhënjej e çdo kriminel të përgjigjet për krimet që I ka bërë. Pala kosovare në dialog duhet që këtë kërkesa ta parashtrojë si primare dhe të panegociueshme në çfarëdo opsioni”, ka shkruar Ahmeti.

Ndryshe, Krasniqi-Goodman tani jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara, kurse në kohën kur ishte dhunuar kishte 16 vjet. Ajo është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, që ka rrëfyer tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.  /Telegrafi/