Aguirre i përgjigjet trajnerit të Afrikës: Duhej t'i shënonim pesë gola
Përzgjedhësi i Meksikës, Javier "Vasco" Aguirre, nuk i ka kursyer përgjigjet ndaj homologut të tij nga Afrika e Jugut, Hugo Broos, pas fitores së meksikanëve në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.
Broos kishte deklaruar se Meksika nuk dinte çfarë të bënte me topin gjatë ndeshjes, por Aguirre e hodhi poshtë kategorikisht këtë vlerësim.
"Epo, faleminderit Zotit që nuk dinim çfarë të bënim me topin dhe ishim të dëshpëruar. Në duhej t'i shënonim pesë gola kundër tyre,", tha Aguirre me ironi.
"Nuk pajtohem aspak me atë që tha Broos. Mund të them edhe unë se ata nuk kishin mbrojtje të mirë", shtoi ai me të qeshur.
Trajneri meksikan theksoi se statistikat e ndeshjes flasin vetë.
"Ne kishim më shumë posedim të topit dhe ata mezi patën një goditje në portë. Kjo është e vërteta", deklaroi Aguirre.
Duke analizuar ndeshjen, ai u shpreh i kënaqur me nisjen e Botërorit, por pranoi se skuadra e tij ka ende hapësirë për përmirësim.
"Të fillosh me fitore është gjithmonë e rëndësishme. Ne mund dhe duhet të bëjmë më mirë", theksoi ai.
Aguirre zbuloi gjithashtu se disa lojtarë u ndikuan nga emocionet dhe atmosfera e jashtëzakonshme në stadium.
"Pati një rënie në performancë gjatë pjesës së dytë. Atmosfera ishte shumë intensive. Disa lojtarëve filluan t’u dridheshin këmbët. Jo të gjithëve, por tre ose katër prej tyre patën probleme fizike për shkak të presionit emocional", shpjegoi trajneri.
Megjithëse Meksika e nisi me fitore 2-0 aventurën në Botëror, Aguirre nuk dëshiron të flasë ende për vendin e parë në grup.
"Nuk jemi të fiksuar për të përfunduar të parët në grup. Tani mendojmë vetëm për ndeshjen kundër Koresë. Do të ecim hap pas hapi dhe më pas do të shohim se çfarë na rezervon e ardhmja. Ambiciet dhe ëndrrat nuk kanë kufij", përfundoi ai. /Telegrafi/



























