LAJMI I FUNDIT:

Agim Ademi mbush 1 vit në krye të FFK-së: Një vit punë, ndershmëri, rezultate e krenari!

Agim Ademi mbush 1 vit në krye të FFK-së: Një vit punë, ndershmëri, rezultate e krenari!
-->

Agim Ademi ka mbushur një vit prej se ka ardhur në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndërsa ka folur për punën, pengesat dhe arritjet e tij me ligat përkatëse dhe Përfaqësuesen.

Kreu i FFK-së i është drejtuar gjithë sportdashëseve me një letër me rastin e një vjetorit të tij në krye të Federatës së Futbollit.

Agim Ademi ka folur për punën e tij, pengesat, historikun dhe rezultatet e tij.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dënohet me nëntë muaj burg efektiv
Lexo po ashtu Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dënohet me nëntë muaj burg efektiv

Letra pa ndërhyrje e Agim Ademit:

Sot u bë një vit që kur e mora drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, me mbështetje të fuqishme nga i gjithë komuniteti i futbollit, duke e vazhduar rrugën e lënë përgjysmë nga legjenda jonë dhe bashkudhëtari im i futbollit për shumë vite, Fadil Vokrri, që papritur ndërroi jetë.

Vota unanime nga delegatët e Kuvendit të FFK-së për mandatin katërvjeçar si president, sa ishte krenari e privilegj, në të njëjtën kohë ishte edhe përgjegjësi në vazhdimin e misionit për ta ngritur futbollin e Kosovës në nivele sa më të larta.

Gjatë këtij rrugëtimi të përbashkët njëvjeçar punuam me seriozitet e përgjegjësi maksimale dhe si rrjedhojë arritjet janë të prekshme në çdo fushë e segment. Federata e Futbollit e Kosovës pas periudhës së vështirë të pikëllimit nga humbja e Legjendës, arriti që shumë shpejt të bëhet storie e suksesit jo vetëm në vendin tonë, por edhe në UEFA e FIFA, në saje të punës sonë të drejtë si KE i FFK-së dhe rezultateve kulmore të Kombëtares sonë, e cila tashmë ka arritur rekord prej 14 ndeshjeve pa humbje.

Djemtë tanë të artë dëshmuan cilësitë e tyre në garën e re të UEFA-s, duke triumfuar grupin e Ligës D të Ligës së Kombeve, që ia mundësoi vendit tonë promovimin në Ligën C për edicionin pasardhës të kësaj gare dhe njëherësh pjesëmarrjen në ‘play-off’ të Ligës D për ‘Euro 2020’. Mirëpo, ngritja e hovshme e Kombëtares sonë u vërtetua edhe në ndeshjet e kualifikimeve të rregullta të Evropianit, ku në tri ndeshjet e deritashme kemi arritur një fitore e dy barazime, duke bërë që tashmë ëndrra për kualifikimin direkt të bëhet e arritshme.

Përveç Kombëtares A, paraqitje dinjitoze kanë treguar edhe ekipet e tjera kombëtare të grupmoshave, si dhe ekipet kombëtare të femrave, duke konfirmuar se jemi në rrugën e duhur dhe në ngritje të vazhdueshme si përnga organizimi, ashtu edhe për nga niveli i cilësisë.

Kur jemi te Kombëtarja, gjatë kësaj periudhe njëvjeçare kemi arritur t’i afrojmë shumë futbollistë e futbolliste, duke e rritur dukshëm konkurrencën dhe cilësinë, teksa kushtet për ekipet kombëtare i kemi ngritur në nivelin e kombëtareve tjera.

Raportet me dy institucionet e futbollit, UEFA-n dhe FIFA-n, janë në nivelin më të mirë të mundshëm dhe kemi simpati te këto instanca për faktin se si federatë e re dhe e vogël kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Në takimet me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe atë të UEFA-s, Aleksander Ceferin, kam marrë mbështetje të fuqishme dhe premtime për realizimin e shumë projekteve të përbashkëta. Po ashtu, e kemi zgjeruar bashkëpunimin edhe me federatat tjera simotra, derisa tani FFK përfaqësohet edhe në organet e UEFA-s me mua në Komitetin e Projekteve “Hat-Trick”, me sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu në Komitetin Ligjor si dhe zëvendëssekretarin, Arianit Ahmeti si delegat i ndeshjeve ndërkombëtare.

Gjatë njëvjeçarit tim si president kemi vazhduar partneritetin edhe me të gjitha institucionet shtetërore, duke realizuar projekte të përbashkëta në përmirësimin e infrastrukturës. Projekti për fillimin e Stadiumit Kombëtar në Drenas, përgatitjet për renovimin e tërësishëm të stadiumit “Adem Jashari”, ndërtimi i Kompleksit në Obiliq, ndërtimi i 12 fushave me bari sintetik, shpronësimi i pronës për ndërtimin e Shtëpisë së Futbollit dhe mbështetja financiare për ekipin kombëtar janë dëshmi se shteti është përkrah futbollit.

Organizimi i mirë i FFK-së, por edhe menaxhimi i shkëlqyeshëm i ndeshjeve ndërkombëtare në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe në stadiumin “Adem Jashari”, gjatë kësaj periudhe njëvjeçare bëri që UEFA t’ia besojë Kosovës organizimin e ndeshjeve të rrethit paraeliminator të Ligës së Kampionëve për klube, teksa një tjetër shpërblim nga UEFA për punën tonë të madhe si një federatë e re erdhi edhe nga sektori i garave, ngase që nga viti i ardhshëm Kosova në garat evropiane do të përfaqësohet me tri klube.

Ndër prioritetet e mia si president i FFK-së ishte edhe zhvillimi i futbollit të femrave dhe edukimi i kuadrove të trajnerëve dhe gjyqtarëve të rinj. Në saje të partneritet të ngushtë me UEFA-n, gjatë këtij viti kemi nënshkruar marrëveshjen “Grassroots Charter”, nëpërmjet të cilës kemi mundësi të promovimit dhe zhvillimit të futbollit bazik, teksa Kosova është pranuar si anëtare e Konventës së Gjyqtarëve të UEFA-s.

Gjyqtarët tanë tashmë gjithnjë e më shumë po e ndajnë drejtësinë në ndeshjet e garave evropiane dhe po dëshmojnë progresin e madh edhe në këtë segment. Ndërkohë, sektori i edukimit në FFK ka qenë mjaft aktiv, ku deri tash janë licencuar mbi 200 trajnere e trajnerë, derisa puna në edukimin e kuadrove të reja rrjedhë në vazhdimësi.

Gjatë këtij njëvjeçari janë realizuar edhe projekte të shumta, të cilat i shërbejnë masivizimit të futbollit te femrat, si dhe ngritjes së cilësisë, por edhe shumë aktivitete me personat me nevoja të veçanta si dhe me pjesëtarë të komuniteteve joshumicë.

Kujdes të madh gjatë këtij njëvjeçari i kam kushtuar edhe mbarëvajtjes dhe integritetit të garave në të gjitha ligat dhe si rrjedhojë kemi pasur kampionatin më interesant që nga pavarësimi.

Në kuadër të vizionit tim për futbollin sivjet klubet e të gjitha kategorive dhe shkollat e futbollit janë ndihmuar me mjete financiare, edukim, organizim dhe heqje të shpenzimeve për zyrtarët e garave me një shumë prej 1.358.844 euro.  Synimi im është shtrirja e futbollit në çdo qytet, fshat e lagje, në mënyrë që në të ardhmen të prodhojmë sa më shumë talente.

Si pjesë e strategjisë për ngritjen e vazhdueshme të futbollit tonë tashmë së bashku me KE të FFK-së kemi vendosur ta bëjmë edhe reformimin e ligave, proces ky i cili ka hasur në mbështetje të gjerë.

Ndërkohë, për herë të parë në Kosovë e kemi realizuar sistemin e biletarisë online, ku tifozët kanë mundësi që të pajisen me bileta për ndeshjet e Kombëtares nëpërmjet internetit, me çka e kemi evituar rrëmujën para pikave shitëse, por edhe kemi zvogëluar mundësinë e manipulimeve. Natyrisht, kërkesat për bileta janë shumëfish më të mëdha se sa kapaciteti i stadiumit ‘Fadil Vokrri’, por besoj se deri në fund të mandatit tim të parë si president do ta kemi mundësinë dhe fatin që ta përurojmë edhe Stadiumin Kombëtar, për të cilin kemi marrë zotimin e institucioneve shtetërore.

Puna dhe transparenca e FFK-së është pasqyruar në vazhdimësi në ueb-faqen zyrtare si dhe në rrjetet sociale, të cilat gjatë kësaj periudhe janë avancuar dukshëm. Sivjet për herë të parë është krijuar edhe Liga e Veteranëve, e cila fillimisht ka filluar me garat e kupës, derisa nga shtatori do të nisë edhe me garat e kampionale. Në këtë ligë janë përfshirë emra të njohur që ndër vite lanë gjurmë dhe sakrifikuan për ta mbajtur gjallë futbollin e Kosovës, për çka do t’u jemi mirënjohës gjithnjë.

Në këtë bilanc të të arriturave në njëvjeçarin e parë të mandatit tim nuk mund ta anashkaloj assesi grupin e tifozëve “Dardanët”, por edhe të gjithë dashamirët e futbollit, të cilët me sjelljen e tyre dhe përkrahjen madhështore për Kombëtaren mahnitën edhe opinionin botëror.

Në vazhdimësinë e mandatit tim kam edhe shumë objektiva tjerë, të cilat pa dyshim do t’i jetësojmë bashkërisht. Në këtë drejtim, klubet do të ndihmohen edhe më shumë financiarisht derisa të arrihet ngritja e tyre profesionale dhe organizative në nivelin që e synojmë.

Synimi kryesor s’do mend është kualifikimi në ‘Euro 2020’, të cilin jam optimist se do të arrijmë ta realizojmë.

Derisa të tjerët flasin dhe mundohen të hedhin baltë mbi punën tonë me shpifje, ne vazhdojmë t’u kundërpërgjigjemi me punë të drejtë, ndershmëri dhe rezultate konkrete.

Për fund, fillimisht falënderoj të gjithë paraardhësit e mi që ishin në krye të FFK-së që nga ditët e para të mëvetësimit e deri në anëtarësimin në UEFA e FIFA, Agim Bytyqin, Rexhep Abdullahun, Sabri Hashanin dhe legjendën Fadil Vokrri me ekipet e tyre, si dhe të gjithë ata që në një formë apo tjetër i kontribuuan ecurisë së futbollit të Kosovës. Po ashtu, falënderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, stafin e administratës së FFK-së, përzgjedhësin e Kombëtares, Bernard Challandes me ekipin e tij të trajnerëve dhe gjithë stafin e Kombëtares, pastaj përzgjedhësit e ekipeve kombëtare U21, U19, U17, U15 te meshkujt me stafin e tyre dhe ekipet kombëtare të femrave dhe ekipeve kombëtare të futsallit për punën e tyre e deritashme. Falënderoj edhe Lidhjet Rajonale, klubet dhe delegatët e Kuvendit të FFK-së që e kuptuan drejt projektin tonë të Komitetit Ekzekutiv. Njëkohësisht një falënderim i madh edhe për institucionet shtetërore, partnerët tanë dhe sponsorët, të cilët e kompletojnë ekipin tonë i cili kudo po tregohet si storie e suksesit. Falënderim i veçantë edhe për UEFA- dhe FIFA-n, institucione këto të cilat i dhanë përkrahje të madhe FFK-së në zhvillimin e hovshëm.

Vazhdojmë – me krenari e përgjegjësi!

Suksesi mbi të gjitha!

Me respekt,

Agim Ademi, President i FFK-së

/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Barcelona i përgjigjet çmimit që Man Utd i ka vënë kartonit të Greenwood

Barcelona i përgjigjet çmimit që Man Utd i ka vënë kartonit të Greenwood

La Liga
Cancelo zbulon arsyen që çoi në prishjen e raporteve me Guardiolën, tregon edhe planet që ka me Barcelonën

Cancelo zbulon arsyen që çoi në prishjen e raporteve me Guardiolën, tregon edhe planet që ka me Barcelonën

La Liga
Ancelotti ka vetëm një lojtar të paprekshëm në ekip – nuk është Vinicius as Bellingham

Ancelotti ka vetëm një lojtar të paprekshëm në ekip – nuk është Vinicius as Bellingham

La Liga
“Mungon dikush që kundërshton Granitin” - Valon Behrami me deklaratë goditëse ndaj Xhakës

“Mungon dikush që kundërshton Granitin” - Valon Behrami me deklaratë goditëse ndaj Xhakës

Përfaqësueset
Man Utd tashmë e di se sa para janë të gatshëm të paguajnë Dortmundi për Sanchon

Man Utd tashmë e di se sa para janë të gatshëm të paguajnë Dortmundi për Sanchon

Premier League
Spalletti kritikon ashpër lojtarët e Italisë: Disa prej tyre janë të varur nga videolojërat

Spalletti kritikon ashpër lojtarët e Italisë: Disa prej tyre janë të varur nga videolojërat

Përfaqësueset
Kalo në kategori