LAJMI I FUNDIT:

Abrashi nis fushatën me premtimet për zhvillim dhe punësim

Abrashi nis fushatën me premtimet për zhvillim dhe punësim

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi e ka nisur të hënën fushatën me një takim me komunitetin e biznesit, pasi që sipas tij, zhvillimi, Fondi i Punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve janë prioriteti i tij kryesor për Prishtinën metropolitane.

Ai tha se fokusi kryesor i tij si kryetar i Prishtinës do të jetë zhvillimi ekonomik.


“Fokusi im kryesor si kryetar i komunës së Prishtinës është zhvillimi ekonomik. Këtë zhvillim ekonomik, unë synoj ta arrij nëpërmjet krijimit të një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e iniciativës së lirë. Unë ju garantoj partneritet konkret dhe raporte të sinqerta bashkëpunimi”, ka thënë Abrashi, i shoqëruar nga Arbër Vllahiu i AAK-së.

“Programi i qeverisjes së ardhshme 4 vjeçare të komunës së Prishtinës është program konkret dhe real. Ai është hartuar nga ekspertët më të mirë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga ekspertë të pavarur, në bashkëbisedim me shumë prej afaristëve të suksesshëm dhe në bashkëbisedim me qytetarët e komunës së Prishtinës. Qytetarët e komunës së Prishtinës, përmes sugjerimeve dhe kërkesave të tyre konkrete, i kanë dhënë formë dhe përmbajtje programit tim. Ky program tash është shndërruar në kontrate me qytetarët”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se synimi i tij është zvogëlimi i papunësisë, rritja e standardit të jetesës, aktivizimi i potencialeve për rritje ekonomike, krijimi i mundësive për investime të reja dhe rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve.

Ai ka thënë se programi i tij konsiston në qasjen metropolitane në zhvillim ekonomik të Prishtinës.

“Për të arritur këtë synim do të bëhet implementimi i politikave përkrahëse për bizneset dhe qytetarët, përmirësimi i infrastrukturës urbane dhe rurale, përmirësimin e shërbimeve publike, mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët, kushte të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, mbështetje specifike për biznese që krijojnë vende të reja të punës, mbështetje e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik dhe rritje e transparencës dhe eliminimin e burokracisë në komunë.

Abrashi ka thënë se programi i tij parasheh krijimin e zonave ekonomike ku do të ofrohen rregullimi i infrastrukturës së re komunale.

Në fjalimin e tij Abrashi ka prezantuar edhe projektin për uljen e tatimit në pronë, zhvillimin e Rajonit të Gollakut, investimet në Parku Nacional “Gërmia”, përkrahje për sektorin e bujqësisë, terminalin multimodal etj.