LAJMI I FUNDIT:

Kriza energjetike, AAK: Qeveria të nisë investimet në energji me linjit dhe të lidhet me gazsjellësin amerikan

Kriza energjetike, AAK: Qeveria të nisë investimet në energji me linjit dhe të lidhet me gazsjellësin amerikan

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë veprime të guximshme dhe të sakta sa i përket krizës energjetike në vend.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se situata e energjisë në vend është e jashtëzakonshme.


“Jo vetëm në Kosovë po gjithandej ekziston një krizë serioze në raport me energjinë, duke ditur se kapacitetet e energjisë, pesë blloqet e Kosovës A dhe dy blloqet e Kosovës B janë në gjendje të rëndë si në raport me remont ashtu edhe me prodhim. AAK propozon qëndrimet e saja që janë jetike dhe urgjente”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se prioritet numër një duhet të jenë investimet e shtetit në sektorin e energjisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

“Përmirësimi i gjendjes në sektorin e energjisë mund të ndodh me vetëm tri vendime të sakta, të guximshme dhe të drejtpërdrejta në investime në sektorin e energjisë.

E para, dhe më urgjentja lidhet me nisjen e procedurave të shtetit të Kosovës në investime në energji me linjit, të fillojnë ndërtimet e kapaciteteve të reja, ndërtimi i një termocentrali të ri që do të zëvendësonte termocentralet e vjetra.

E dyta, duhet të stimulohet dhe subvencionohet energjia alternative, ajo me erë, solarja dhe po ashtu hidrocentralet e vogla për të cilat duhet të kemi analizë të saktë ku nuk dëmtohet natyra dhe ambienti i Kosovës.

E treta, gazsjellësi amerikan i cili siguron burimin e gazit amerikan dhe lidhjen e qëndrueshme të Kosovës me rrjetin evropian dhe vendet e rajonit që e kanë bërë këtë lidhje”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se AAK nga sot ka nisur procesin e konsultimit publik me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar lidhur me atë pse Kosova duhet të ketë investime në energji, në vendin më të pasur me linjit.

Ndërkaq, deputeti Pal Lekaj ka folur për marrëveshjen Kosovë-Serbi sa i përket energjisë në veri të vendit, ku kompania serbe “Elektroserver” nuk i ka plotësuar kushtet që i përcakton Udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji.

Lekaj ka thënë se obligimet që i ka pas “Elektroserveri” sa i përket licencës që e ka marrë është dashur t’i nënshkruaj marrëveshjet e domosdoshme teknike për të operuar në tregun e Kosovës siç është marrëveshja kornizë për aderim në rregullat e tregut, marrëveshja për detyrime të balancimit me KOSTT-in dhe marrëveshjen komerciale me KEDS. Ai tha se lidhur me këtë marrëveshje ka ngecje.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

“Po ashtu KOSTT dhe KEDS nuk kanë qasje në veri. Ne e kemi përkrahë këtë marrëveshje sepse i ka kushtuar mjaft humbje buxhetit të Kosovës, e deri në përfundim të këtij vitit pothuajse do të paguhen 100 milionë euro për qytetarët që fare nuk paguajnë energji e që është diskriminim për qytetarët e tjerë që paguajnë”, tha Lekaj.

Ai shtoi se si AAK i kanë përkrahë tri vendime për shpallje të emergjencës në energji, duke menduar se kjo çështje do të përfundojë e të mos i kushtoj kaq shumë buxhetit të shtetit të Kosovës.

“Në pajtim me pikën 8 të udhërrëfyesit kërkohet një mendim nga BE-ja që deri kur dhe pse ka ngec kjo marrëveshje, dhe a mund të tërhiqet licenca”, ka thënë Lekaj.

Kujtojmë se “Elektroserver” është licencuar më 24 qershor nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

“Elektrosever” i ka pasur 100 ditë kohë për plotësimin e kushteve që do t’i mundësonin të operonte në tregun e Kosovës. Nga data e lincencimit kanë kaluar 116 ditë. /Telegrafi/