A po vijnë ditët e mira për “Lirinë”?

”Një gjë e tillë është bërë për shkak të obligimeve ligjore që duhet të plotësohen”, ka thënë para të pranishmëve kryesuesi i Kuvendit, Kujtim Gashi.
Ai ka thënë se brenda afatit 1 mujor, drejtoria komunale për kulturë, rini e sport duhet të angazhohet në organizimin e mbajtjes së Kuvendit të klubit, nga i cili do të dalin organet e reja drejtuese të KF “ Liria” ndërsa Kuvendi i Komunës do të merret me monitorimin e funksionimit të klubit, sepse komuna është ajo që po e mbështetet materialisht skuadrën prizrenase.
Këshilltari i VV-së, Arbër Rexhaj, ka kërkuar që Kuvendit t’i dorëzohet një raport i punës nga komisioni i cili deri më tani e ka menaxhuar situatën në klub, transmeton tv prizreni..
Ai tha se përkundër mbështetjes materiale nga komuna, ky klub në masë të madhe po ballafaqohet ende me shumë probleme për shkak edhe të paaftësisë së drejtimit të klubit nga zyrtarët e Kuvendit.
Në anën tjetër, kryetari i deritanishëm i komisionit, Qemajl Krasniqi, nga LDK, tha se “Klubi e ka marrë veten dhe rezultatet në fushë janë ato që dëshmojnë”
Pas disa diskutimeve, me shumicë votash është miratuar propozim vendimi për themelimin e organeve të reja të klubit pas një periudhe njëmujore, pjesë e të cilit pritet të jenë emra të shquar të futbollit prizrenas, pjesëtarë të komunitetit të biznesit dhe të tjerë.



















































