Frika nga ekspozimi aksidental ndaj glutenit shpesh ndikon edhe në intimitet. Tani një studim tregon se rreziku është shumë i ulët dhe mund të zvogëlohet me një veprim të thjeshtë

Gluteni është grup proteinash, prolamina dhe glutelina, që gjenden natyrshëm në grurë, thekër, elb dhe në hibridet e tyre si spelta. Ai vepron si “ngjitës” që i jep brumit elasticitet dhe strukturë, ndërsa gjendet në produktet e furrës, makaronat dhe ushqimet e përpunuara. Gluteni mund të shkaktojë probleme shëndetësore si sëmundja celiake, një sëmundje autoimune kronike dhe e përhershme, ku marrja e glutenit aktivizon sistemin imunitar dhe dëmton mukozën e zorrës së hollë. Kjo çon në përthithje të dobët të lëndëve ushqyese dhe shkakton simptoma si diarre, fryrje, anemi dhe lodhje. Trajtimi i vetëm është ushqimi strikt pa gluten gjatë gjithë jetës.


A mund ta bartë puthja glutenin nga një person te tjetri?

Për njerëzit që jetojnë me sëmundjen celiake, frika nga ekspozimi ndaj glutenit mund të shtrihet edhe në çastet e afërsisë. Një studim i ri, i udhëhequr nga American Gastroenterological Association dhe i publikuar në revistën Gastroenterology, sjell lajme inkurajuese. Edhe pse gluteni mund të bartet përmes puthjes, sasia e kaluar zakonisht është shumë e vogël dhe mund të ulet në nivele të sigurta me një hap të thjeshtë parandalues.

Sëmundja celiake prek rreth 1 për qind të popullsisë. Marrja e glutenit, edhe pa simptoma të menjëhershme, mund të shkaktojë dëmtime në zorrë, prandaj kërkohet dietë e rreptë pa gluten gjatë gjithë jetës. Studimet e mëparshme kanë treguar se frika nga ekspozimi i rastësishëm mund të çojë në ankth, vigjilencë të tepruar dhe izolim shoqëror, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhënie romantike ose njohje të reja, transmeton Telegrafi.

Çfarë treguan testet pas puthjes?

Në studimin e parë që mati ekspozimin ndaj glutenit përmes puthjes, studiuesit përfshinë 10 çifte, ku secili çift përbëhej nga një partner me sëmundje celiake dhe një pa të. Studimi vlerësoi nëse gluteni që konsumonte partneri pa sëmundje celiake mund të bartet përmes puthjes me gojë të hapur, që përfshin shkëmbim të pështymës, dhe nëse ajo sasi paraqet rrezik të rëndësishëm.

Në dy skenarë të ndryshëm, partneri pa sëmundje celiake hëngri 10 biskota të thata dhe më pas puthi partnerin tjetër. Në skenarin e parë, çifti priti pesë minuta para puthjes. Në të dytin, i zhvilluar ditën tjetër, partneri pa sëmundje celiake piu 110 mililitra ujë menjëherë pasi hëngri biskotat dhe më pas e puthi partnerin.

Gjetjet kryesore ishin:

  1. Nivelet e glutenit në pështymë ishin nën 20 pjesë për milion (ppm) në 90 për qind të mostrave, prag që konsiderohet i sigurt për produktet pa gluten.
  2. Vetëm dy nga 20 rastet e ekspozimit përmes puthjes e kaluan pragun prej 20 ppm, ndërsa edhe në ato raste sasia totale e glutenit ishte e papërfillshme.
  3. Asnjë mostër pështyme nuk e kaloi pragun prej 20 ppm kur partneri pa sëmundje celiake piu 110 mililitra ujë para puthjes.
  4. Në fakt, 60 për qind e mostrave pas pirjes së ujit nuk përmbanin fare sasi të dallueshme gluteni, pra ishin nën 5 ppm.

/Telegrafi/