eksperti-banner

Gjermania siguroi kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026 pas fitores 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë në ndeshjen e dytë të Grupit E, por përzgjedhësi Julian Nagelsmann nuk dëshiron që skuadra e tij të fluturojë nga entuziazmi.

Në ndeshjen e zhvilluar në BMO Field të Torontos, Bregu i Fildishtë kaloi i pari në avantazh në minutën e 30-të me golin e kapitenit Franck Kessie.


Megjithatë, heroi i mbrëmjes ishte Deniz Undav, i cili u aktivizua nga stoli në minutën e 60-të dhe ndryshoi rrjedhën e takimit.

telegrafi.com

Sulmuesi i Stuttgartit barazoi rezultatin në minutën e 68-të, ndërsa në minutën e katërt të kohës shtesë realizoi golin e fitores, duke i siguruar Gjermanisë tri pikë të arta dhe kualifikimin në raundin tjetër të turneut. Për Undav ishte goli i nëntë në vetëm 11 paraqitje me fanellën e kombëtares gjermane.

Nagelsmann i kujdesshëm pavarësisht fitores

Pas ndeshjes, trajneri gjerman u pyet nga prezantuesja Laura Wontorra nëse kjo fitore ndaj një kundërshtari të fortë si Bregu i Fildishtë tregonte se Gjermania ishte rikthyer në nivelin e skuadrave të klasit botëror.

Megjithatë, Nagelsmann nuk u bashkua me euforinë që po krijohej rreth ekipit të tij. Tekniku gjerman kujtoi se vetëm pak javë më parë atmosfera rreth kombëtares ishte krejtësisht ndryshe dhe se një fitore nuk duhet të ndryshojë menjëherë perceptimin për skuadrën.

“Nuk kemi nevojë të flasim tani nëse jemi apo jo të klasit botëror. Vetëm tre javë më parë gjithçka ishte në rrëmujë”, deklaroi ai.

Përzgjedhësi i Gjermanisë theksoi se fokusi i vetëm i ekipit mbetet ndeshja e fundit e fazës së grupeve kundër Ekuadorit, duke shtuar se skuadra duhet të vazhdojë të bëjë punën e saj pa u shpërqendruar nga diskutimet dhe vlerësimet e jashtme.

Gjermania do të përballet me Ekuadorin në raundin e fundit të Grupit E, ndërsa Nagelsmann kërkon që ekipi të ruajë përqendrimin maksimal përpara se të nisë faza me eliminim direkt. /Telegrafi/

telegrafi sport app