Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka reaguar ashpër ndaj kritikëve pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, duke mbrojtur organizimin e turneut dhe duke i akuzuar ata për përhapje të urrejtjes dhe lajmeve të rreme.

Pavarësisht kritikave për çmimet e larta të biletave, problemet logjistike dhe polemikave rreth vendimit për pezullimin e Folarin Balogun, kreu i FIFA-s e cilësoi turneun një sukses dhe theksoi se organizata do të vazhdojë të zgjerojë garat globale.


"Nga të gjithë ju që humbët mundësinë të shihnit fëmijë, foshnja, gjyshër dhe prindër të bashkuar për lojën e bukur, më vjen keq që ndeshjet tani kanë përfunduar dhe më vjen keq që humbët gjithë atë gëzim dhe bashkim. Më vjen keq që ishit aq të konsumuar nga urrejtja dhe kritikat, sa humbët gjithçka", shkroi Infantino në një postim në Instagram.

Ai kishte edhe një mesazh për gazetarët dhe komentuesit që, sipas tij, kanë përhapur kritika të padrejta.

"Për të gjithë ata pas stilolapsave dhe letrave, pas ekraneve duke përhapur urrejtje dhe thashetheme të rreme, dua t'ju them se ndërsa ju rrini ulur, ne në FIFA jemi në vijën e parë duke organizuar, punuar fort dhe duke sjellë spektaklin më të madh në botë."

Infantino u ndal edhe te polemikat që shoqëruan vendimin për anulimin e pezullimit të Folarin Balogun, duke theksuar se vendime të tilla nuk janë të pazakonta në futboll.

"Pakënaqësia juaj për disa vendime të marra nga autoritetet kompetente është e kuptueshme, por ju lutem shikoni dokumentet publike: vendime të tilla janë të zakonshme në disa nga ligat më të rëndësishme."

"Në fakt, vendime të diskutueshme të gjyqtarëve ose vendime disiplinore të çuditshme, si kartonë të kuq apo të verdhë të dhënë gabimisht ose vendime të mëvonshme për të mos pezulluar lojtarë në situata të caktuara, janë rutinë dhe pranohen gjerësisht në disa nga ligat më të mëdha në botë."

Në fund, presidenti i FIFA-s iu përgjigj edhe kritikave për vizat e tifozëve.

"Ju përmendët disa persona që nuk morën vizë, por anashkaluat milionat që u miratuan, nga të gjitha anët e botës", përfundoi Infantino./Telegrafi/

telegrafi sport app