Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka nisur pagesën e parë për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv për vendin.

Sipas tij, në buxhetin e shtetit tashmë janë bartur 28.74 milionë euro në formë kredie, ndërsa 33.04 milionë euro të tjera do të kanalizohen përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, ku 17.73 milionë janë grante dhe 15.31 milionë kredi.


“Javën që shkoi e mbyllëm me lajme të mira. Tashmë në buxhetin e shtetit janë bartur 28.74 milionë euro në formë kredie, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë euro do të kalojë përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.

Ai theksoi se këto mjete do të investohen në projekte konkrete infrastrukturore, duke përmendur si një ndër projektet e para atë për rrjetin e transmisionit energjetik.

“Këto mjete do të investohen në projekte konkrete infrastrukturore. Projekti në vlerë prej 9.3 milionë euro për rrjetin e transmisionit, së bashku me bankën gjermane për zhvillim, është ndër të parët që do të financohet”, ka shtuar ai.

Kryeministri bëri të ditur se kjo shumë përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të fondeve të përgjithshme që BE-ja ka vënë në dispozicion për Kosovën.

“Parafinancimi përbën vetëm 7% të totalit prej 882.6 milionë euro që BE i ka vënë në dispozicion për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes”, u shpreh Kurti.

Ai paralajmëroi se në fazën e ardhshme vendi mund të përfitojë deri në 90 milionë euro shtesë, por kjo varet nga miratimi në kohë i disa projektligjeve në Kuvend.

“Në hapin e radhës përfitojmë deri në 90 milionë euro, por duhet të bëhet miratimi para fundit të muajit qershor i disa prej ligjeve që i kemi proceduar në Kuvend dhe disa që do t’i procedojmë në ditët në vijim”, deklaroi Kurti.

Në fund, Kurti falënderoi deputetët për angazhimin e tyre dhe bëri thirrje për vazhdimin e punës pa vonesa.

“Falënderojmë deputetët për angazhimin dhe kërkojmë që pa humbur kohë të vijojmë me trajtimin dhe miratimin e projektligjeve, të cilat përveçse përmirësojnë infrastrukturën ligjore, sjellin përfitime financiare për vendin dhe qytetarët”, përfundoi ai. /Telegrafi/