Ndërsa bankat zvicerane viteve të fundit kanë kaluar nëpër kriza të mëdha, rrogat e menaxherëve të tyre mbesin të larta. Së fundi banka UBS publikoi disa shifra që zgjuan kureshtjen e opinionit.

Sergio Ermotti, bankieri që mori timonin e bankës në momentin më kritik të saj, vazhdon të mbetet në majat e listës së fituesve, duke arkëtuar shifra që për qytetarin e thjeshtë duken astronomike.


Sipas raportit vjetor të botuar këtë të hënë, drejtori i UBS, Sergio Ermotti, është paguar për vitin e kaluar me saktësisht 14,9 milionë franga zvicerane. Kjo shumë, e cila është e njëjtë me vitin paraprak, vjen si pasojë e asaj që Bordi i Drejtorëve e quan një “performancë të jashtëzakonshme”.

Ermotti ka arritur të rrisë fitimin e bankës në 7.8 miliardë dollarë, një ngritje prej 50 për qind brenda një viti. Por suksesi i tij matet mbi të gjitha me integrimin e bankës Credit Suisse, një proces tejet kompleks që pritet të përfundojë plotësisht deri në fund të këtij viti. Ndonëse kjo shkrirje ka sjellë shkurtimin e mijëra vendeve të punës, për aksionarët dhe bordin, Ermotti ka tejkaluar të gjitha objektivat financiare.

Lajmet e mira financiare janë përkthyer në shpërblime të majme për të gjithë stafin e lartë. Fondi i bonuseve për të gjithë bankën është rritur për 10 për qind, duke arritur në 5,1 miliardë dollarë. Vetë Bordi Ekzekutiv i UBS-së, i përbërë nga ekipi i ngushtë i Ermottit, ka arkëtuar gjithsej 145,3 milionë franga.

Ermotti, tani 65-vjeçar, ka sinjalizuar se do të qëndrojë në detyrë të paktën deri në fillim të vitit 2027.

Edhe pse paga e Ermottit është rreth 150 herë më e lartë se paga mesatare në Zvicër, ai nuk është njeriu më i paguar në konfederatë. Ky titull i takon Vasant Narasimhan, kreut të gjigantit farmaceutik Novartis në Basel, i cili vitin e kaluar përfitoi plot 24,9 milionë franga - dhjetë milionë më shumë se kryebankieri i Zürichut.

Në nivel evropian, Ermotti mbetet sërish pas Ana Botín të bankës spanjolle Santander, e cila mori 18,5 milionë euro. /Telegrafi/