LAJMI I FUNDIT:

2 korriku 1990: Akti sublim i historisë së re shqiptare

2 korriku 1990: Akti sublim i historisë së re shqiptare

Një shekull robëri nuk arriti ta shuajë etjen e një populli shqiponjash që të zgjidh krahët nga regjimi serb.

Kombe dhe popuj janë shuar, janë harruar gjuhë e kultura, duke mos u qëndruar vuajtjeve dhe torturave.


Fatin e tillë e patëm dhe ne, por me një dallim: në vuajtjet e mëdha, kombi ynë nuk u shua por u rrit.

Një dhimbje shekullore u shenjtërua në forcë, edhe atëherë kur kambanat binin në melodinë e qyqeve.

Në çaste kritike, kur gjithë skenarët e historisë dhe rrethanave shkruheshin me gjakun tonë, një energji thyente ligjet duke i dhënë goditje të keqes që donte të përpijë gjithçka shqiptare.

Një frymë mençurie dhe atdhedashurie na mbajti, edhe atëherë kur çasti vinte rrëmbyeshëm duke na e mohuar ekzistencën.

Me 2 korrik 1990, Kosova ishte para një faze kritike.

Duhej guxim dhe mprehtësi për të marrë vendime që kushtonin me jetë.

Duhej sakrificë për të çelur derën e së ardhmes e cila nuk shihej në horizont, sepse një sistemi të madh sikur ai i ish-Jugosllavisë kishin filluar t’i dridhen themelet.

Fati i shqiptarëve të Kosovës matej si një fije e hollë peri e cila nëse këputej do të sillte pasoja të hidhura për Ballkanin dhe Evropën.

Për ta filluar një lëvizje dhe për të marrë fatin e një populli mbi supe, duhej guxim i rrallë, urtësi dhe sakrificë deri në vetëflijim.

Delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës ishin të vetëdijshëm për rrethanat në të cilat gjendeshin e se kishin vetëm dy mundësi: heshtje përballë fatkeqësive të regjimit serb apo lëvizje revolucionare e cila po ashtu do të ngjizte dhe të tjera pasoja – faturën e të cilave do ta paguanin shqiptarët.

Guximi për të miratuar publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të Federatës jugosllave, paraqet një akt sublim.

Dy muaj më pas, me 7 shtator. të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vendim ky që formalisht i dha Kosovës statusin e Republikës.

Këto ngjarje në historinë tonë më të re duhet trajtuar në mënyrë të veçantë, sepse pas tyre filluan lëvizjet e gjëra me karakter popullor, të cilat kishin një synim të përbashkë: rrënimin e regjimit serbo-sllav, deri në pavarësinë e Kosovës e cila ishte mohuar për një shekull me vuajtje, lot, gjak e robni.

Populli shqiptar u tregua largpamës dhe i matur, ndryshe do të ishte e pamundur të mbijetonin në ato kohë.