LAJMI I FUNDIT:

140 vjetori i lindjes së Fan Noli

140 vjetori i lindjes së Fan Noli

Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë përkujton sot lindjen e Fan Stilian Nolit (6 janar 1882 – 13 mars 1965).

Burrështetas, atdhetar, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të njohura të kombit tonë.


Lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë asaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në atë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit, “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt 1908, u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju-Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe – për herë të parë në Boston.

Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbushën më 1937, kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare “Vatra” të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938, mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.

Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924 u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u bë kryeministër për një periudhë gjashtëmujore.

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Vdiq më 13 mars 1965 në Florida të ShBA-së.