Një nga vendimet më të diskutueshme në historinë e përzgjedhjeve të formacionit ideal të Ligës së Kampionëve vjen nga prestigjiozja franceze L’Equipe.

Gazetari i njohur Vincent Duluc ka përpiluar 11-shen më të mirë të historisë së Kupës së Evropës dhe Ligës së Kampionëve, por në të nuk ka vend për Cristiano Ronaldon – golashënuesin më të mirë në historinë e kompeticionit dhe një prej figurave më të mëdha që ka parë ky turne.


Mungesa e Ronaldos është veçanërisht befasuese duke pasur parasysh dominimin e tij në Ligën e Kampionëve. Portugezi e ka fituar trofeun pesë herë, një herë me Manchester Unitedin dhe katër herë me Real Madridin, ndërsa ka vendosur rekordin historik me 140 gola në Ligën e Kampionëve. Ai është gjithashtu lojtari me më shumë paraqitje, gola në fazat eliminatore dhe shumë prej rekordeve individuale të kompeticionit mbajnë emrin e tij.

Megjithatë, Duluc ka vendosur të mos e përfshijë Ronaldon në formacionin e tij, duke pranuar se ky vendim mund të shkaktojë “zemërim dhe pakënaqësi”.

Gazetari i njohur Vincent Duluc

Ku nis debati i madh - cilat janë zgjedhjet befasuese

Sipas gazetarit francez, statistikat dhe rekordet nuk kanë qenë kriteret e vetme në përzgjedhje. Ai vlerësoi se Ronaldo, sidomos në pjesën e fundit të karrierës së tij, nuk ishte më lojtari krijues dhe driblues që kishte qenë dikur.

Në vend të tij, Duluc ka zgjedhur George Bestin përkrah Lionel Messit, Johan Cruyffit dhe Alfredo Di Stéfanos në repartin ofensiv.

Pikërisht këtu qëndron edhe debati më i madh: a mund të lihet jashtë një futbollist që ka shënuar më shumë gola se kushdo tjetër në historinë e Championsit, ka fituar pesë trofe dhe ka qenë vendimtar në kaq shumë net të mëdha evropiane?

ronaldo Cristiano Ronaldo, dominues në Ligën e Kampionëve telegrafi.com

Në të njëjtën listë, gazetari francez ka përfshirë Luka Modrićin, i cili ka gjashtë trofe të Ligës së Kampionëve me Real Madridin. Kroati është vendosur në mesfushë përkrah Andres Iniestas, me Dulucin që e ka vlerësuar veçanërisht për aftësinë për të kontrolluar ritmin dhe rrjedhën e një ndeshjeje.

Por zgjedhja e Modrićit nuk ka shkaktuar aq shumë diskutime sa vendimi për të lënë jashtë Ronaldon.

Formacioni i zgjedhur nga L’Équipe është: Ray Clemence – Dani Carvajal, Franz Beckenbauer, Franco Baresi, Paolo Maldini – Luka Modrić, Andres Iniesta – Lionel Messi, Johan Cruyff, George Best – Alfredo Di Stéfano. Trajner është Brian Clough, fitues i dy Kupave të Evropës me Nottingham Forest.

Fakti që në këtë 11-she nuk ka asnjë francez – duke lënë jashtë emra si Zinedine Zidane dhe Michel Platini – tregon se Duluc ka bërë një përzgjedhje të bazuar jo vetëm në trofe, por edhe në perceptimin e tij personal për ndikimin e lojtarëve.

Sepse mund të diskutohet nëse Ronaldo ka qenë lojtari më i talentuar, më kreativ apo më elegant në historinë e Championsit. Por të lihet jashtë formacionit ideal i një kompeticioni ku ai është golashënuesi rekordmen, pesë herë kampion dhe një prej protagonistëve më vendimtarë të historisë së tij, është një zgjedhje që vështirë se do të kalojë pa polemika./Telegrafi/

telegrafi sport app