10 euro bileta për ‘play-off’ në Pejë

“Të gjithë dashamirët e KB Peja e kanë mundësinë të ndihmojnë klubin e tyre të zemrës duke blerë biletën, e cila do të vlejë për të gjitha ndeshjet e ‘play-off-it’, të cilat do të zhvillohen në Pejë. Bileta do të përmbajë katër kuponë të cilët do të shkëputen një nga një nga bileta me rastin e hyrjes në palestër në ndeshjet përkatëse, prandaj të gjithë ata që do e blejnë biletën duhet të kenë kujdes mos ta humbasin deri në fund të ‘play-off-it’. Ne jemi duke kaluar në një periudhë të vështirë dhe ndihma juaj na duhet që të forcohemi dhe të përfundojmë stinorin ashtu si na ka hije. Bileta do të ketë çmimin prej 10 eurosh dhe do të shiten që nga dita e nesërme nga një grup dashamirësh në gjithë qytetin e Pejës”, thuhet në njoftimin e skuadrës pejane në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.
Presin përkrahje të madhe
Kryetari i skuadrës, Art Gashi thekson se kjo është mënyrë e mirë dhe e lehtë për t’u realizuar. “Shumicën e buxhetit ne e kemi prej donatorëve, ndërsa në këtë mënyrë mund të ndihmojnë edhe qytetarët. Nuk e kemi parë të arsyeshme të dalim nëpër qytet dhe të kërkojmë ndihma, megjithëse një praktikë të tillë e kanë zbatuar klube të mëdha në vende të ndryshme, prandaj jemi orientuar për këtë mënyrë”, ka thënë Gashi, i cili beson se efekti do të jetë pozitiv. “Unë besoj që pronarët e bizneseve të ndryshme do të blejnë numër më të madh të biletave dhe t’ua shpërndajnë klientëve të tyre. Në këtë mënyrë, ata edhe i nderojnë klientët, por edhe e ndihmojnë skuadrën”, ka shtuar Gashi.
Edhe Nermin Ferizi, kryetar i grupit të tifozëve “Shqiponjat”, vlerëson se kjo ide është mjaft e mirë dhe shpreson të përkrahet nga të gjithë dashamirët e Pejës.
“Si ide është mjaft e mirë. Së pari, ne të gjithë e kemi të qartë se klubi gjendet në situatë të vështirë, prandaj kjo është një mënyrë për ta ndihmuar dhe nuk mendoj se është barrë e rëndë. Zakonisht biletat kanë kushtuar nga 2 euro, ndërsa nëse llogarisim që me këtë biletë mund t’i shikojmë katër ndeshje, do të thotë se për secilën prej tyre paguajmë nga 2.5 euro, që nuk është shumë e madhe, aq më tepër që bëhet fjalë për ‘play-off’, ku sigurisht ndeshjet do të jenë më interesante”, ka thënë Ferizi.
Ai apelon të kontribuojnë edhe nga ata që i kanë biletat ‘VIP’, madje edhe nga ata që nuk kanë mundësi fare të jenë në palestër. “Do të ishte mirë që këto bileta të blihen edhe nga ata që i kanë biletat e tyre ‘VIP’, sepse shuma prej 10 eurosh atyre nuk u sjell problem. Esenca e kësaj ideje është të ndihmohet skuadra, prandaj unë besoj se do të përkrahet në masë të madhe”, ka shtuar Ferizi. /Tribuna/Telegrafi/





















































