Por, njohës të procedurave të tilla ndërtuese thonë se me këtë çmim mund të niset vetëm themeli. Sipas tyre, parashikimet qeveritare për kryerjen e këtij projekti gjigant brenda tri vjetëve, me vetëm 10 milionë euro, nuk janë reale, raporton Zëri.

Në bazë të Projektbuxhetit për vitin 2015, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, fillimi i ndërtimit të stadiumit kombëtar të Kosovës do të nisë në vitin që po vjen.


Në vitin e parë të fillimit të punimeve, pra gjatë vitit 2015, sipas Projektbuxhetit, do të shpenzohen 1 milion e 300 mijë euro.

Sipas parashikimeve, realizimi i këtij projekti do të kushtojë rreth 10 milionë euro dhe do të kryhet brenda tri vjetëve.

Nëse krahasohen këto parashikime të Qeverisë së Kosovës me rrethanat tjera reale, gjasat janë shumë të vogla që Kosova të bëhet me një stadium modern, brenda tri vjetëve.

Kjo pasi gjithçka do të nisë nga zeroja. Po ashtu, 1 milion e 300 mijë euro besohet se janë shumë pak për ta nisur realizimin e një projekti gjigant, i cili besohet se i kërkon më shumë se 10 milionë eurot e parashikuara. Madje, krejt këto parashikime bëhen në një kohë kur nuk është e definuar as vendi apo toka e ndërtimit të tij.

Prandaj, pak shpresa për realizimin e këtij projekti ka edhe ish-kryetari i Llamkos Kosovës, Labinot Demi, i cili ka njohuri se si shkon procedura e ndërtimit të një stadiumi me standarde të UEFA-s, pasi sponsori i klubit vushtrrias planifikonte ndërtimin e një stadiumi të ri, me 15 mijë ulëse.

“Neve projektin na pati bërë një kompani turke. Vetëm vizatimi i tij në letër, pra projektimi, na pati kushtuar 80 mijë euro. Sipas atij projekti, ndërtimi i stadiumit me 15 mijë ulëse dhe me standarde të UEFA-s kushtonte mbi 25 milionë euro dhe parashihej të kryhej për 18 muaj”, thotë Demi për “Zërin”.

Andaj, fillimi i ndërtimit të stadiumit modern të Kosovës me vetëm 1 milionë e 300 mijë, nuk ia mbush syrin Demit. “Me 1 milionë e 300 mijë euro mund të ndërtohen ndoshta vetëm themelet”, deklaron ai.

“Ndërtimin e një stadiumi të ri, brenda tri vjetëve, me vetëm 10 milionë euro mendoj se mund ta bëjë ndonjë kompani vendore, por jo e huaj. Madje, ajo kompani duhet të mbikëqyret nga ekspertë të huaj, të kërkojë informacionet të hollësishme nga UEFA, se cilat standarde duhet plotësuar e shumë çka tjetër, sepse në pyetje është ndërtimi i një stadiumi e jo i banesave që ndërtohen te ne”, shpjegon Demi.

Por, në Qeverinë e Kosovës insistojnë se ky projekt do të realizohet dhe se 1 milionë e 300 mijë euro janë të mjaftueshme për fillimin e punimeve.

“Projekti zgjat disa vjet dhe për disa vjet do të ndahen mjetet e nevojshme. Nuk ndahet asnjëherë e gjithë shuma në buxhetin vjetor, por parashihet prej vitit të fillimit deri në ndërtim. Domethënë, ne presim që vitin e ardhshëm të nisim punën dhe besojmë se ato para janë të mjaftueshme”, tha për “Zërin” Shkëlzen Dragaj, këshilltari i ministrit të Sportit, Memli Krasniqi.

“Buxheti për vitet tjera është i paraparë, por nëse kërkohen para shtesë, natyrisht se ne bëjmë kërkesa të nevojshme sa herë që përgatitet buxheti”, theksoi ai.

I pyetur se si mund të ndahet buxheti për fillimin e ndërtimit të stadiumit të ri, kur ende nuk është caktuar lokacioni i tij, Dragaj u përgjigj: “Ne po bëjmë analiza rreth hapësirës që duhet të zërë stadiumi, sepse nuk flasim vetëm për objektin e stadiumit, por edhe për pjesën përreth, qoftë për parkingje apo objekte tjera përcjellëse. Në momentin që këto i kemi finale, ne e kërkojmë lokacionin nga Komuna”, u shpreh Dragaj, i cili beson se ky projekt do të kryhet sipas parashikimeve. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app