LAJMI I FUNDIT:

Zyrtarët amerikanë: Rusia ka filluar fushatën e dezinformimit kundër vaksinës së Pfizerit

Zyrtarët amerikanë: Rusia ka filluar fushatën e dezinformimit kundër vaksinës së Pfizerit

Zyrtarët rusë të inteligjencës po përpiqen të hedhin dyshime për vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë Pfizer dhe vaksinave të tjera perëndimore.

Sipas Wall Street Journal, katër botime që veprojnë si fronte për inteligjencën ruse janë duke shpërndarë informacione që vënë në dyshim sigurinë e vaksinës dhe për të ngritur dyshime te amerikanët për këto vaksina.


“Ne mund të themi se këto agjenci [botime] janë të lidhura drejtpërdrejt me shërbimet e inteligjencës ruse. Këto janë të gjithë në pronësi të huaj, me qendër jashtë Shteteve të Bashkuara. Ndryshojnë shumë në audiencën e tyre, por të gjitha janë pjesë e ekosistemit rus të propagandës dhe dezinformimit”, i tha gazetës një zyrtar i Qendrës Botërore për Angazhim të Departamentit të Shtetit.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, presidenti Vladimir Putin tha se Rusia shpreson të shpërndajë në vendet të tjera vaksinën e diskutueshme kundër COVID-19, “Sputnik V”.

Rusia në muajin gusht 2020 kishte njoftuar se ka prodhuar me sukses “Sputnik V”, por vaksina ishte miratuar në rrethana të diskutueshme. Ishte lëshuar në përdorim para se të kalonte provat e fazës së tretë. Në Shtetet e Bashkuara, kjo fazë bëhet para se një ilaç ose vaksinë të verifikohet dhe miratohet nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

Afati i nxituar ka bërë që zyrtarët shëndetësorë të mendojnë se nëse Kremlini i detyroi prodhuesit e vaksinave që ta nxirrnin para kohe “Sputnik V” për të fituar një hap në garën botërore për mjekimin nga virusi COVID-19.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane tani besojnë se kjo përpjekje për të minuar vaksinën e kompanisë Pfizer që del nga Kremlini është një mënyrë tjetër për të rritur statusin e “Sputnik V”.

Vaksinat kundër Coronavirusit që nga muaji dhjetor 2020 po shpërndahen në Shtetet e Bashkuara, pasi Pfizer u bë kompania e parë që prodhoi dhe mori miratimin e FDA-së për shpërndarje. /Telegrafi/