Klubi gjerman, Hoffenheim ka njoftuar zyrtarisht zgjatjen e kontratës me reprezentuesin e Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari.

Hoffenheim në njoftimin e tyre nuk kanë treguar kohëzgjatjen e kontratës së re të Hajdarit, por sipas mediave gjermane ai ka rinovuar deri në verën e vitit 2031.


“Klubi i Bundesligës TSG Hoffenheim ia ka zgjatur kontratën mbrojtësit Albian Hajdari për një kohë të gjatë”, thuhet në njoftimin e klubit gjerman.

Duke siguruar zgjatjen e parakohshme të kontratës së një lojtari kyç, klubi gjerman nënvizon ambiciet e saj dhe rrugën që ka zgjedhur.

“Albiani u bashkua me ne menjëherë pas fillimit të sezonit verën e kaluar dhe shpejt u zhvillua në një lojtar kyç dhe një pjesë integrale të ekipit tonë. Që nga dita e parë, ai e përqafoi plotësisht rrugën tonë në TSG dhe performancat e tij kanë kontribuar ndjeshëm në sezonin tonë të suksesshëm”,

“Me vetëm 22 vjeç, ai ende zotëron potencial të madh për zhvillim. Këmba e tij e fortë e majtë, fleksibiliteti i tij në mbrojtje dhe mentaliteti i tij i jashtëzakonshëm janë ato që e dallojnë atë”, ka thënë drejtor sportiv i Hoffenheim, Andreas Schicker.



Edhe vetë reprezentuesi i Kosovës është i kënaqur me zgjatjen e bashkëpunimit me klubin gjerman.

“Ndihem shumë rehat në Hoffenheim. Edhe kur u transferova këtu gjatë verës, e kuptova shpejt se diçka e veçantë po ndërtohej këtu. Perspektivat janë të mira dhe dua të vazhdoj të kontribuoj në mënyrë aktive në këtë zhvillim pozitiv dhe suksesin e TSG-së”, ka thënë Hajdari pas rinovimit.

Ndryshe, Hajdari u transferua nga FC Lugano te Hoffenheim në gusht të 2025, ku ka bërë 26 paraqitje në Bundesligë (1 gol) dhe një paraqitje në Kupën DFB. Në nivel ndërkombëtar, mbrojtësi luan për Kosovën, për të cilën ka bërë pesë paraqitje që nga tetori 2025.

Përpara se t’i bashkohej Hoffenheimit, Hajdari luajti gjithsej 110 ndeshje në tre sezone me Luganon në Superligën Zvicerane, Kupën e Zvicrës, Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës. /Telegrafi/

telegrafi sport app