Një nismë për të vendosur një kufizim ligjor për popullsinë e Zvicrës në 10 milionë banorë po fiton mbështetje të konsiderueshme, vetëm pak javë përpara votimit në referendum. Propozimi, i udhëhequr nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë, mbështetet aktualisht nga 52 për qind e votuesve, sipas një sondazhi të publikuar nga instituti LeeWas. Kjo rritje vjen përkundër kundërshtimit të fortë nga qeveria e Zvicrës dhe grupet e biznesit përpara votimit të caktuar për më 14 qershor. Një anketë tjetër tregoi se kampet janë të barabarta: 47 për qind për nismën, 47 kundër.

Lobet e biznesit dhe industrisë kanë paralajmëruar se çdo kufizim i imigracionit do të zvogëlojë qasjen në fuqinë punëtore të kualifikuar dhe do të dëmtojë rritjen ekonomike. “Economiesuisse”, lobi kryesor i biznesit në vend, e ka quajtur këtë projekt si “nismë të kaosit” dhe ka tërhequr vëmendjen se ajo rrezikon të dëmtojë konkurrueshmërinë e Zvicrës dhe të destabilizojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, partnerin e saj më të madh tregtar.


Shqetësimi kryesor lidhet me migracionin nga BE-ja, i cili është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2008, kur Zvicra iu bashkua zonës Schengen. Ky fluks shihet si një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e qirasë së banesave dhe mbingarkesën e shërbimeve publike në qytete si Cyrihu dhe Gjeneva.

Një votë pro në këtë referendum do t’i nxirrte mjaft probleme Zvicrës në raport me Brukselin, pasi kufizimi i lëvizjes së lirë shkel detyrimet dypalëshe të Zvicrës me BE-në. Kritikët gjithashtu vënë në dukje se nisma nuk ofron asnjë plan konkret se si do të zbatohej në praktikë ky kufizim i popullsisë.

Popullsia e Zvicrës tashmë ka kaluar shifrën prej 9 milionë banorësh, ku shtetasit e huaj përbënin pothuajse 30 për qind të totalit vitin e kaluar.

Sipas hulumtuesve të opinonit theksojnë se epilogu i referendumit është i hapur. Shpesh nismat që drejtohen kundër migrantëve kanë sukses në referendum.