LAJMI I FUNDIT:

ZRRE-ja gjobit KEDS-in dhe KESCO-n në vlerë prej 11.1 milionë euro

ZRRE-ja gjobit KEDS-in dhe KESCO-n në vlerë prej 11.1 milionë euro
Foto: Arkiv

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) njofton se ka gjobitur Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) me 8.4 milionë euro dhe Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) me 2.7 milionë euro.

Sipas ZRRE-së, ky vendim për gjobitje ka ardhur pas shkeljeve që ka gjetur kjo zyre gjatë monitorimit të këtyre kompanive.

“Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar vlerësimin përfundimtar ne lidhje me gjetjet e prezantuara nga stafi profesional i ZRRE-së në raportet e Monitorimit dhe ka miratuar propozimin për masat administrativë me gjobë për KESCO ne vlerën prej 8.4milionë euro dhe për KEDS ne vlerën prej 2.7 milionë euro”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Po ashtu, ZRRE-ja në këtë mbledhje ka miratuar edhe dy kërkesa për licencë të furnizimit me shumicë të energjisë elektrike, si dhe ka miratuar parametrat rregullator për KOSTT-in dhe KEDS-in, për periudhën 2023-2027.

“Bordi i ZRRE-së, shqyrtoi raportet fillestare të monitorimit për KOSTT dhe KEK, pas shqyrtimit Bordi i ZRRE-së, ka vendosur që raportet t’ju dërgohen palëve për të ofruar komentet e tyre me shkrim për shkeljet e gjetura, brenda 14 ditësh nga pranimi i raporteve”, vijon njoftimi.

Bordi i ZRRE-së ka miratuar edhe 14 kërkesa për marrje të autorizimit të ndërtimit të paneleve solare për vet-konsum, nga të cilat 9 janë dorëzuar nga persona fizikë dhe pjesa tjetër e mbetur nga ndërmarrje të ndryshme me gjithsej 503kW.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të ZRRE-së. /Telegrafi/