Zjarret masive përfshijnë Uashingtonin, mijëra zjarrfikës në terren

Më shumë se një duzinë zjarresh pyjore janë duke u përhapur në shtetin amerikan të Uashingtonit, ndërsa autoritetet po përballen me një nga sezonet më të vështira të zjarreve në vitet e fundit.
Zjarri më i madh, i njohur si Old Trails Fire, pranë qytetit Spokane, është zgjeruar me shpejtësi dhe ka përfshirë rreth 2.500 hektarë tokë, i nxitur nga erërat e forta dhe temperaturat ekstreme.
Për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve, autoritetet kanë urdhëruar evakuime të detyrueshme në disa zona të qarkut Spokane, përfshirë edhe një spital. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar rreth 4.000 zjarrfikës, si dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare të SHBA-së.
Deri të shtunën në mbrëmje nuk janë raportuar persona të lënduar apo viktima, ndërsa ekipet emergjente vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit.
Zyrtarët e kanë përshkruar situatën si një sezon jashtëzakonisht të rëndë të zjarreve pyjore. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 1.000 zjarre kanë djegur rreth 425.000 hektarë në të gjithë shtetin gjatë këtij viti.
Thatësira e zgjatur, temperaturat rekord dhe erërat e fuqishme janë përmendur si faktorët kryesorë që kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarreve, duke rritur presionin mbi shërbimet e emergjencës dhe komunitetet lokale. /Telegrafi/








































