Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD, njoftoi se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në të gjitha degët. “Procesi ka filluar e vijon normalisht”, thuhet në njoftim.

Komisioni do të qëndrojë i mbledhur deri në fund të procesit të votimit, derisa të votojë edhe anëtari i fundit i PD për të monitoruar si dhe për të marrë cdo masë në kohë reale për cdo problematikë apo nevojë që mund të kenë degët”, thuhet më tej.

Votimi i sotëm vjen pas fushatës rreh 2 javore që dy kandidatët bënë në bazë. Pas orës 18.00 pritet të dale edhe rezultati i garës.

Sali Berisha ka votuar në selinë e Partisë Demokratike në votimet që po kryhen për kryetarin e ri. Ai shoqërohej në qendrën e votimit nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha.

Berisha u shpreh se zgjedhjet në PD janë një proces historik jo vetëm për selinë blu, por edhe për Shqipërinë. Ai tha se zgjedhjet kryhen paralelisht me procesin e zgjedhjes së Presidentit, të cilin e konsideroi proces mafioz dhe antikushtetues.

“Së pari, përshëndes demokratët dhe demokratet, komisionerët, e 108 qendrave të votimit në mbarë Shqipërinë dhe i uroj të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik jo vetëm për PD, por edhe për Shqipërinë dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë. Të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për kandidatin që duan. Theksova se ky është proces historik jo vetëm për PD, por për mbarë Shqipërinë sepse është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre, por sepse është një proces që zhvillohet paralel nga një proces i mirëfilltë mafioz, antikushtetues, ai i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Është mafioz dhe antikushtetues sepse bazohet mbi grabitjen dhe dhunimin masiv të vullnetit të lirë të shqiptarëve dhe kolaboracionizmin e shpifur të Edi Ramës me pseudo-opozitën. Sot në këtë proces shohim dritën e shpresës për të ardhmen”, tha Berisha.

Ai shtoi më tej se, “Nuk ka vendim që mund të ndalë këtë mision historik të demokratëve shqiptarë”. /Tvklan.al/