Sot, më 28 maj nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ndërsa do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke u përmbyllur më 7 qershor në ora 06:59.

Subjektet politike tashmë kanë njoftuar aktivitetet për hapjen e fushatës, gjersa Partia Socialdemokrate fushatën e ka hapur mbrëmë me një aktivitet simbolik para Kuvendit të Kosovës, ku u dogjën kartëmonedha për të paraqitur, siç u tha, “fundin e opozitarizmit formal” në Kosovë.


Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë fjalimit të tij akuzoi opozitën aktuale se për vite me radhë ka vepruar mbi baza të interesave financiare dhe klanore, duke mos ushtruar kontroll real ndaj qeverisë.

Ndërkaq, partitë tjera politike fushatën zgjedhore do ta hapin sot.

Lidhja Demokratike e Kosovës hap fushatën zgjedhore. (ora 18:00, salla 1 tetori, Prishtinë)

Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj, hap fushatën zgjedhore. (19:30, Palestra Sportive “Bill Clinton”, Ferizaj)

Aleanca hap fushatën zgjedhore. (19:45, Platoja e Parkut të Qytetit, Gjakovë)

Partia Demokratike e Kosovën bën hapjen e fushatës zgjedhore. (20:00, Sheshi para komunës, Ferizaj). /Telegrafi/