LAJMI I FUNDIT:

Zemra plot shpirt: Gjeniu i çuditshëm Jeff Beck, “kitaristi i kitaristit”

Zemra plot shpirt: Gjeniu i çuditshëm Jeff Beck, “kitaristi i kitaristit”

Nga: Alexis Petridis / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Prej të gjitha mundësive në karrierë që mund t’i paraqiteshin një kitaristi të ri në mesin e viteve 1960, oferta për ta zëvendësuar Eric Claptonin në grupin Yardbirds ishte njëra nga ato që mund ta mendoni dy herë para se ta pranoni. Nuk ishte kjo vetëm pse Clapton ishte i talentuar; ishte se – në mënyrë unike për rokun britanik në atë kohë – ai ishte atraksion mes yjeve të Yardbirds-it. Prania e tij e errësoi ashiqare këngëtarin e tyre Keith Relf, saqë një nga bashkëkohanikët e tyre shkroi një këngë për të. “The One in the Middle” nga Manfred Mann e tallte me kujdes Relfin si “thjesht një fytyrë e bukur”. (Çuditërisht, Relfi kurrë nuk i bind për ta kënduar atë këngë.) Përpjekja për ta zëvendësuar Claptonin, mund të supozoni, ishte një fshehje për askund: kushdo që u përpoq po bëhej gati që të dështonte.

Por, Jeff Becku (24 qershor 1944 – 10 janar 2023), i cili u rekomandua për këtë punë nga miku i tij Jimmy Page, nuk e zëvendësoi thjesht Claptonin. Ai e transformoi Yardbirds-in – nga puritanët e bluzit që përpiqeshin të plotësonin dashurinë e tyre për bluzerët Buddy Guy dhe Freddie King, te domosdoshmëria për të pasur hite të popit (Clapton u largua në shenjë proteste ndaj grupit që e incizoi dhe publikoi si singël këngën “For Your Love” të Graham Gouldmanit), për një grup që ishte pararojë e përparimit të pandërprerë të popit britanik. Kënga e parë që incizoi me ta, “Heart Full of Soul”, ishte një tjetër delikatesë e Gouldmanit, e gjallëruar nga Becku duke imituar tingujt e sitarit – disa muaj përpara se grupi Beatles ta përdornin për herë të parë këtë instrument në këngën “Norwegian Wood” – me një kitarë ku luhej përmes pedalit të distorsionit të quajtur Ton Bender.

Kishte një aluzion të frymëzimit nga grupi Who për interpretimin agresiv në singlin e ardhshëm, “Evil Hearted You”: nëse e ktheje diskun në anën tjetër, do të përballeshe me “Still I’m Sad” – me vokalet e frymëzuara nga koralet gregoriane, një udhërrëfyes për rrugën e eksperimentimit të psikodelisë. Në kohën e “Shapes of Things” të shkurtit 1966 – reagime ulëritëse, një solo-kitarë e ndikuar dukshëm nga raga indiane, ose, siç e tha Beck, “një mjegull e çuditshme që vinte nga lindja e dilte nga amplifikatori [im]” – Yardbirds dukej si një grup krejtësisht i ndryshëm nga ai që kishte kaluar nëpër versionet e këngëve “Smokestack Lightning” dhe “Good Morning Little Schoolgirl” në albumin “Five Live Yardbirds” të vitit 1964.

Beck mund të luante bluz nëse donte – dëgjoje pjesën e tij në këngën anën B të “Heart Full of Soul’s”, “Steeled Blues” – por, ai nuk ishte parafytyrimi i askujt se si duhet të jetë një puritan i nderuar. Me sa duket, kënga që ia kishte ngjallur së pari interesimin për të interpretuar në kitarë ishte hiti novator vitit 1951 nga Les Paul dhe Mary Ford, “How High the Moon”, një singël që kishte të bënte po aq me manipulimin elektronik të tingullit të Paulit përmes multikanaleve, aq edhe me lojën e tij në kitarë. Kur nëna e Beckut e hodhi atë poshtë si “truk”, kjo shërbeu vetëm për t’ia ndezur më tej entuziazmin.

Gjatë gjithë kohës së tij me Yardbirds, Becku dukej po aq i interesuar për mundësitë zanore të teknologjisë së re, siç bënte për të demonstruar aftësitë e tij instrumentale, “duke bërë zhurmat më të çuditshme që mundja”. Rezultati ishte një varg këngësh që e çuan Yardbirds-in në ballë të avangardës së popit: “Over Under Sideways Down”, “Lost Woman”, “Hot House of Omagararshid”, “He’s Always There”. Kur Jimmy Page iu bashkua grupit, duke krijuar shkurtimisht një formacion me dy kitaristë kryesorë, tingulli i tyre u bë akoma më ekstrem. Singli që i bashkoi, “Happenings Ten Years Time Ago” – dhe “Psycho Daisies” – ishte jashtëzakonisht i fuqishëm dhe i ogurzi, aq larg edhe sipas standardeve të vitit 1966, sa që arriti të largonte adhuruesit e tyre – mezi u fut në toplistat e Mbretërisë së Bashkuar – dhe kritikët, njëri prej të cilëve e përqeshi si “arsyetim për muzikë”.

Jo shumë kohë pas këtij lansimi, Becku u largua keq nga Yardbirds. “Më dëbuan … le të q…”, e tha këtë si i mërzitur më 1992 gjatë futjes së grupit në Rock and Roll Hall of Fame. Producenti Mickie Most u përpoq ta shndërronte atë në yll popi, një rol i cili për Beckun nuk ishte krejtësisht i përshtatshëm, megjithëse me të lansoi këngën hit dhe diskon e dasmave “Hi Ho Silver Lining”. E ardhmja e tij e vërtetë, megjithatë, qëndronte në anën B të singlit, te instrumentali i quajtur “Beck’s Bolero” që ai e kishte regjistruar me Pagen, basistin John Paul Jones dhe Keith Moonin e gropit Who në maj të vitit 1966. Ishte epike, e rëndë dhe mjaft parashikuese, duke treguar saktë drejtimit që roku do të ndiqte në epokën post-psikodelike – një vit para Verës së Dashurisë.

Tingëllonte përpara kohës kur kjo u shfaq në albumin solo të Beckut, “Truth”, dy vjet më vonë. Në atë kohë, Becku kishte rekrutuar këngëtarin Rod Stewart: me vokalin e tij bluz që interpretonte krahas kitarës ndezëse dhe me distorsion të Beckut, materialet eklektike të albumit “Truth” – një përpunim i këngës “Shapes of Things”, plus versionet e “Greensleeves”, “Ol’ Man River” dhe “I Ain’t Superstitous” të Willie Dixonit – që paralajmëruan tingujt e Led Zeppelin-it, të grupit që Jimmy Page formoi nga rrënojat e Yardbirds-it tashmë të shuar. “Truth” e mundi albumin debutues të Led Zeppelin-it që del gjashtë muaj më vonë.

Ndoshta bendi Jeff Beck Group, për të cilin albumi pasues i “Truth”-it ishte “Beck-Ola”, ishte i destinuar për ta ndjekur rrugën e Zeppelin-it drejt superyjeve. Por, kishte probleme, jo më pak se me mbajtjen e një formacioni të qëndrueshëm. Stewart u largua pasi doli “Beck-Ola” – përpjekja për ta zëvendësuar atë me Elton Johnin e atëhershëm të panjohur arriti vetëm te provat në studio – duke marrë me vete basistin Ronnie Wood për të formuar grupit Faces. Pianisti Nicky Hopkins u largua gjithashtu: bateristët vinin dhe shkonin.

Fakti që Beck nuk mundte të qëndronte stabil në muzikë, mund të ketë penguar gjithashtu përparimin e tyre komercial. “Beck-Ola” ishte goxha shumë në stilin “hevi” të “Truth”-it – “Spanish Boots” ishte veçanërisht fantastike – por publikimet e mëvonshme u përfshinë në fank, xhaz dhe soul. Si “Rough and Ready” i vitit 1971, ashtu edhe albumi “Jeff Beck Group” i vitit 1972 kishin momentet e veta – “I’ve Been Used” dhe “Jody” në të parën, “Ice Cream Cakes” dhe “Going Down” në të dytën – por kritiku i NME-së i cili vuri në dukje se aftësitë muzikore të grupit shpesh “i tejkalojnë ato të materialit” e kishte një arsye. Për më tepër, ishte e vështirë të mos e njihje ndjenjën se Becku nuk ishte aq i shqetësuar për të qenë i famshëm, prandaj në kopertinën e “Beck-Ola”-s thuhet: “Është pothuajse e pamundur të dalësh me ndonjë gjë krejtësisht origjinale – kështu që nuk kemi”.

Në vitin 1973, Becku formon një grup të ri me basistin Tim Bogert dhe bateristin Carmine Appice. Ata mund të kishin pasur një hit me “Superstition”, një këngë që Stevie Wonder ia kishte dhënë Beckut në këmbim për interpretuar në albumin e tij “Talking Book” – mund të dëgjoni interpretimin e tij të bukur, delikat dhe simpatik në këngën e parafundit, “Lookin’ for Another Pure Love” – nëse Wonder nuk ndryshoi mendje dhe e publikoi vetë si singël, të kompletuar me ritmin ikonik të tupanave që kishte krijuar Becku. Dyshja punuan sërish së bashku në albumin solo të Beckut të vitit 1975, “Blow by Blow”, në të cilin kitaristi ndryshoi përsëri kurs, këtë herë në fuzionin e xhaz-rokut. Albumi pasues, “Wired”, paraqiti një version të këngës së Charles Mingusit, “Goodby Port Pie Hat”.

Deri tash, askush nuk mund të parashikonte se ku do të shkonte Beck. “Flash”, nga viti 1985, ishte një album pop ku producent ishte Nile Rodgers, megjithëse një album pop i zbukuruar me solo-kitarat që tingëllonin më afër hevi-metalit bashkëkohor. (Beck më pas deklaroi se e urrente atë.) “Jeff Beck’s Guitar Shop” (1989) ishte album instrumental i bluz-rokut. “Crazy Legs” (1993) përbëhej tërësisht nga versionet e këngëve të Gene Vincentit. “Who Else!” (1999) kishte ndikimin e muzikës tekno dhe asaj ambientale elektronike: “THX138” dhe “Psycho Sam” tingëlluan, në mënyrë të pabesueshme, jo ndryshe nga Chemical Brothers ose Prodigy. Ai bashkëpunoi me: Guns N’Roses, Kate Bush, Roger Waters, Hans Zimmer dhe Jon Bon Jovi. E gjithë kjo ishte dëshmi e një mosdashjeje për t’u lënë pas dore: e vetmja gjë në të cilën mund të mbështeteshe ishte se çfarëdo drejtimi që merrte muzika e tij, interpretimi i tij në kitarë do të ishte mahnitës.

Ishte një lloj i karrierës që hutoi publikun e gjerë – nga albumet e tij të kohëve të fundit, vetëm “Emotion & Commotion” që ishte relativisht i drejtpërdrejtë e ku ai punoi me emrat Joss Stone dhe Imelda May, ishte me të vërtetë një hit – dhe është mjaft e paqartë se sa inovativ kishte qenë Becku në vitet 1960. Por, kjo ia krijoi atij admirimin e pavdekshëm të kolegëve të tij muzikantë: fraza “kitaristi i kitaristit” mund të ishte shpikur për të. Ndikimi i tij u shtri brez pas brezi. Brian May, David Gilmour, Slash dhe The Edge dëshmuan të gjithë se ishin frymëzuar nga Becku. Kirk Hammett nga Metallica pretendoi se e mësoi kitarën duke interpretuar “Let Me Love You” të Jeff Beck Group. John Frusciante i Red Hot Chili Peppers kujtoi se kishte e dëgjuar “Truth”-in kur ishte fëmijë dhe u mrekullua me Beckun që “i nxirrte të gjithë këta tinguj nga kitara … e unë nuk e dija se nga vinin”. Edhe Eric Clapton, largimi i të cilit nga Yardbirds kishte nisur karrierën e Beckut, u mrekullua me zëvendësimin e tij, me “kitaristin më unik dhe më të përkushtuar”.

Projekti i tij i fundit ishte një album që e publikoi me Johnny Deppin, një lëvizje që e katapultoi në lajme: “18” u shfaq në vazhdën e çështjes gjyqësore të Deppit kundër ish-bashkëshortes së tij, Amber Heard. Polemika errësoi përmbajtjen e albumit, që ishte po aq i paparashikueshëm si kurrë më parë. “Gjërat interesante ndodhin”, ka thënë Beck, “kur je i hapur për të provuar diçka ndryshe”. /Telegrafi/