LAJMI I FUNDIT:

Zemra e Kosovës nga “Made in Kosova” për BONEVET

Zemra e Kosovës nga “Made in Kosova” për BONEVET

“Made in Kosova” është një fushatë e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës për herë të dytë tashmë, që ka si synim të ngrit vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e prodhimeve vendore për ekonominë e një vendi. Këtë vit dhe BONEVET u bë pjesë e kësaj fushatë kaq madhështore dhe të rëndësishme që bart një mesazh kaq pozitivë për vendin tonë. Fushata ‘Made in Kosova’ është pjesë e aktiviteteve të KPK-së, e mbështetur nga Ministra e Financave, USAID, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë -KIESA dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar-SIDA.

BONEVET, një hapësirë krijuese që ka për qëllim edukimin e të rinjëve dhe motivimin e tyre që të kenë ide kreative dhe të krijojnë projekte inovative, u vlerësua me çmimin “Zemra e Kosovës” në gala mbrëmjen ku u promovua fushata “Made in Kosova”. Kjo gala mbrëmje, e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës më 18 dhjetor 2017 ku bashkoi përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare, përfaqësues të bizneseve,  personazhe nga kultura si dhe akter tjerë që vazhdimisht punojnë në promovimin e Kosovës.


BONEVET është #MADEINKOSOVA

Ndër personazhet dhe pjesëmarrësit e gala mbrëmjes, drejtori i BONEVET Prishtina, Lekë Zherka pranoi çmimin “Zemra e Kosovës” ambasadorët “Made in Kosova”, të cilin ua dedikojë dy iniciatorëve të Fondacionit BONEVET dhe gjithë stafit dhe mentorëve të BONEVET në Gjakovë dhe Prishtinë.

“Ky çmim i dedikohet dy iniciatorëve dhe njerëzve me zemër të madhe z. Vllaznim dhe znj. Nita Xhiha, të cilët iniciuan BONEVET dhe vazhdojnë të jenë të pa lodhshëm në mbështetjen e saj, gjithashtu pjesë e këtij suksesi janë stafi me punën e tyre dhe të gjithë të tjerët të cilët me zemër e vullnet japin kontributin e tyre për edukimin e gjeneratave të reja në Kosovë”, Lekë Zherka.

Pjesë e videos promovuese “Made in Kosova” është BONEVET, ndër shumë personalitete të rëndësishme në sfera të ndryshme në Kosovë. Kjo video u prezantua gjatë gala mbrëmjes, me mesazhin se në Kosovë prodhohet kualitet – në sport, muzikë, film, dizajn, edukim, teknologji dhe në shumë sfera të tjera, dhe se këto të arritura bëjnë që Kosova të mburret dhe vlerësohet edhe jashtë vendit.

BONEVET është duke krijuar një frymë të re për të gjithë të rinjtë që janë të interesuar në krijimin, ndërtimin e gjërave dhe ofron të gjitha mundësitë që të rinjtë të kenë një hapësirë, ku mund të jenë kreativë dhe ku mund të mësojnë shumë aftësi që ndihmojnë në krijimin e bizneseve dhe organizatave të reja. Nga ndërtimi i veturës që punon me energji elektrike deri ne projekte pakufi, BONEVET nuk do të ndalet duke krijuar produkte Made in Kosova.