ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ishte padyshim një nga pamjet më të përfolura të ndeshjes mes Spanjës dhe Portugalisë në Kupën e Botës 2026. Pedro Neto, gjatë përballjes me Spanjën, u pa në një moment me këpucën e dëmtuar në pjesën e pasme, pranë thembrës.

Anësori portugez ishte duke shkuar për të ndërruar këpucën, kur kamerat kapën një vrimë të madhe në pjesën e pasme të saj. Edhe më e çuditshme ishte fakti se edhe të tjerat, që i mbathi kishin të njëjtën vrimë pas. Pamja e pazakontë u përhap menjëherë në rrjetet sociale dhe ngjalli shumë diskutime mes tifozëve.


Shumë prej tyre u pyetën se si një futbollist i nivelit të lartë mund të luante me një këpucë të grisur në atë pjesë. Tani duket se është zbuluar arsyeja.

Sipas raportimeve, Pedro Neto vuan nga "Sindroma e Haglund", një gjendje që lidhet me një rritje jonormale të kockës në pjesën e pasme të thembrës.

Kjo gjendje shkakton formimin e një zgjatjeje kockore, e cila mund të fërkohet vazhdimisht me këpucën dhe të krijojë presion mbi tendinin e Akilit. Si pasojë, mund të shfaqen dhimbje, inflamacion i tendinit dhe irritim i bursës pranë thembrës.


Neto duket se ka gjetur një zgjidhje

Për të shmangur fërkimin dhe presionin në zonën e ndjeshme, këpuca e Netos është prerë në pjesën e pasme. Kjo zgjidhje i mundëson futbollistit të luajë me më pak shqetësim dhe të reduktojë dhimbjen që mund të shkaktohet nga kontakti i vazhdueshëm i këpucës me thembrën.

Sindroma e Haglund mund të trajtohet edhe me ndërhyrje kirurgjikale. Operacioni zakonisht përfshin heqjen e pjesës së tepërt të kockës në thembër dhe nuk konsiderohet ndër procedurat më të komplikuara.

Megjithatë, derisa të vendosë nëse do t’i nënshtrohet operacionit apo jo, Pedro Neto duket se po përdor këtë metodë praktike për të vazhduar të luajë pa dhimbje të mëdha.

Pamja e këpucës së grisur të futbollistit portugez i habiti shumë tifozë, por raste të tilla nuk janë të panjohura në futboll. Në të kaluarën, janë parë edhe futbollistë të tjerë që kanë prerë ose grisur pjesë të pajisjeve të tyre për të shmangur shqetësimet fizike gjatë ndeshjeve. /Telegrafi/

telegrafi sport app