Zbulohen fjalët që i dyshuari i tha familjes së tij para të shtënave në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

Sipas rrjetit amerikan NBC News, i dyshuari për të shtënat në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u dërgoi një shënim anëtarëve të familjes së tij para të shtënave.
Në të, Cole Allen u kërkoi falje prindërve të tij, si dhe kolegëve dhe kalimtarëve, për atë që ishte gati të bënte, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai tha: "U kërkoj falje të gjithëve... që vuajtën para se unë të isha në gjendje ta provoja këtë, të gjithë atyre që mund të vuajnë ende më pas, pavarësisht suksesit apo dështimit tim".
Ai theksoi se mund t'u ketë bërë "shumë njerëzve një surprizë sot", dhe megjithëse nuk e përmendi drejtpërdrejt Donald Trump në shkrime, ai e kritikoi atë dhe përmendi shënjestrimin e administratës.
Në mesazh, ai tha se zyrtarët e administratës ishin shënjestra, ashtu si edhe agjentët e Shërbimit Sekret "vetëm nëse është e nevojshme, dhe të paaftësohen, jo të vriten, nëse është e mundur".
Ai tha më tej se mysafirët dhe punonjësit e hotelit "nuk ishin aspak shënjestra" dhe se policia e Capitol, Garda Kombëtare dhe siguria e hotelit nuk ishin shënjestra "përveç nëse qëllojnë ndaj meje", shkruan SkyNews, përcjell Telegrafi.
Ai tha gjithashtu se nuk "priste falje", përpara se të kritikonte sigurinë në hotel.
Ndryshe, Prokurori i përgjithshëm në detyrë i SHBA-së, Todd Blanche, ka thënë pak më herët se "gjetjet paraprake" sugjerojnë se personi i dyshuar që qëlloi në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë kishte në shënjestër Donald Trump dhe zyrtarët në administratën e tij.
Blanche i tha emisionit "Meet the Press" të NBC News: “Ne ende po hetojmë një motiv, dhe kjo është diçka që domosdoshmërisht do të zgjasë të paktën disa ditë. Ne besojmë se ai kishte në shënjestër zyrtarët e administratës në këtë sulm, tentativë sulmi, por kjo është përsëri, mjaft paraprake”.
Ata zyrtarë "ka të ngjarë" të përfshijnë presidentin e SHBA-së, shtoi Blanche.
Këto lajme vijnë pas të shtënave me armë pranë një pike sigurie jashtë sallës ku po mbahej darka vjetore e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Donald Trump së bashku me Zonjën e Parë, Melania Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance, u evakuuan me urgjencë nga vendi i ngjarjes nga agjentët e shërbimit sekret amerikan.
Ndërsa qindra të ftuar të profilit të lartë u përballën me momente frike dhe pasigurie.
Autoritetet kanë arrestuar një të dyshuar, i identifikuar si një burrë 31-vjeçar nga Kalifornia, që besohet të ketë vepruar i vetëm. /Telegrafi/





















































