LAJMI I FUNDIT:

“Zbukurohet” pallati i projektuar nga Maks Velo

“Zbukurohet” pallati i projektuar nga Maks Velo

Në rrugën e “Dibrës”, në pallatin e projektuar në vitin 1972 nga Maks Velo, ku kanë jetuar shkrimtarët Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, si dhe kompozitori Feim Ibrahimi, është realizuar një mural.

Murali ka në qendër një bibliotekë me libra të dy autorëve, edhe të klasikëve botërorë, por dhe një partiturë muzikore të Ibrahimit. Përveç librave një glob, edhe një mace dhe një skulpturë janë elementët që përbëjnë muralen e realizuar nga dekori i kryeqytetit nën drejtimin e Henri Çules edhe ilustruesi i rrugës, Franko Dine.


“Menduam se ne kemi këta autorë tanët që i vlerëson gjithë bota. Përse jo kjo murale, të mos të jetë një homazh për gjurmët që kanë lënë. E bëmë në kohë rekord, sepse donim të kapnim datëlindjen e Agollit, edhe pak më vonë edhe të Feim Ibrahimit”, shpjegon drejtori i dekorit në bashkinë e Tiranës, Henri Cule.

Në këtë murale, në të majtë të bibliotekës është edhe portreti i Agollit e ndërsa në të djathtë të saj i Kadaresë. Nuk mungon as fotografia e arkitektit të ndjerë Maks Velo.

“Duke qenë pallati i tyre, më thanë të bëja diçka dhe duke qenë se vet ata janë shkrimtarë, biblioteka u përshtatej dhe qëndronte më mirë me veprën e tyre”, thotë Dine. /Report TV/