Ylli i “Gladiatorit”, do të luajë një personazh shqiptar në filmin e ri “The Get Out”


Aktori i njohur Russell Crowe, i cili ka luajtur në filma ikonikë si Gladiator, A Beautiful Mind, Robin Hood dhe shumë të tjerë, po vjen me një projekt të ri filmik.
Crowe luan rolin kryesor në filmin e ri “The Get Out”, derisa personazhi i tij është shqiptar dhe quhet Manco Kapak.
Siç raportohet, filmi aksion-thriller është drejtuar nga Derrick Borte, ndërsa në kast luajnë gjithashtu Luke Evans, Teresa Palmer, Nina Dobrev dhe Aaron Paul, i njohur për rolin e tij ikonik si Jesse Pinkman në serialin e famshëm Breaking Bad.
“Unë jam Manco Kapak dhe vij nga Shqipëria”, prezantohet personazhi i Crowe në trailerin e filmit The Get Out.
Filmi ndjek historinë e protagonistit Manco (Russell Crowe), i cili është në prag të lënies pas të kaluarës së tij të rrezikshme për të dalë në pension së bashku me të dashurën e tij (Teresa Palmer). Por kur grabitës të maskuar (Nina Dobrev, Aaron Paul) e plaçkitin, ai përfshihet në një konflikt të rrezikshëm me kartele të pamëshirshme.
Në këtë situatë, një i ardhur misterioz (Luke Evans) shfaqet me interes për të blerë biznesin e tij.
Ndërsa rreziku afrohet nga të gjitha anët, ai duhet të përballet me një rrjet vdekjeprurës mashtrimesh, pushteti dhe mbijetese — ku arratisja mund të mos jetë më një opsion.
Sipas raportimeve, projekti pritet të dalë në kinema në muajin gusht.
Në trailerin e publikuar në YouTube, komentet e publikut kanë qenë kryesisht pozitive, me shumë shikues që kanë vlerësuar po ashtu edhe kastin e përzgjedhur.
Megjithatë, mes komenteve ka pasur edhe mendime të ndryshme, ku një përdorues ka sugjeruar se do të donte që Russell Crowe ta portretizonte në të ardhmen figurën historike të Skënderbeut.












































