Shtatë ankesa lidhur me masat “paraburgim” ndaj të akuzuarve për ndodhitë e 27 prillit në Kuvend, sot u gjendën para Gjykatës së Apelit. Mes të akuzuarve është edhe një nga organizatorët e protestave “Për Maqedoni të Përbashkët”, regjistori Boris Damovski, i cili është në paraburgim shtëpiak dhe kërkon që kjo masë t’i tërhiqet.

Gjykatësit e Apelit do t’i shqyrtojnë edhe ankesat e Gorançe Angelovskit, Abdulfeta Alimit, Dejan Davidovskit dhe Ilija Slavevskit, të cilët janë në paraburgim në burgun e Shutkës.

Kryetari i Gjykatës Themelore – Shkupi 1, Ivan Xholev, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me zëvendësimin e masës së ish-drejtoritë të Byrosë për Siguri Publik, Mitko Çavkov, pasi policia nuk e ka gjetur në adresën e caktuar, tha se Gjykata e Lartë e përcakton adresën për vuajtjen e masës “paraburgim shtëpiak”, kurse në këtë rast, siç tha, ai sipas dëshirës së vet ka vendosur ta ndërrojë adresën.

“Në këtë rast nuk ka pasur kërkesë të tillë për ta ndryshuar adresën, në të cilën duhet ta vuajë masën paraburgim shtëpiak. A bëhet fjalë për sugjestion të avokatit apo për vendim personal të Çavkovit, nuk e di, por sipas dëshirës së vet ka qenë vendosur në cilin vend ai do ta vuajë masën e përcaktuar. Ky është një mesazh i keq për të gjithë të tjerët, të cilët do të guxonin të vendosnin ku do të donin ta vuanin masën paraburgim shtëpiak”, tha Xholev.

Xholevi gjithashtu konfirmoi se edhe njoftimi për Jane Çento nga policia ka qenë i ngjashëm.