Xhiroja e katërt sjell duele të forta në Superligën e Kosovës, orari i ndeshjeve

Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së katërt, e cila pritet të sjellë përballje interesante në disa stadiume të vendit.
Xhiroja hapet të premten, më 4 shtator, me duelin ndërmjet Prishtinës dhe Vushtrrisë, që zhvillohet nga ora 16:00 në stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional në Hajvali.
Të shtunën janë në program dy ndeshje mjaft interesante.
Llapi pret Dukagjinin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë nga ora 16:00, ndërsa në mbrëmje, nga ora 19:00, Drita përballet me Drenicën në Gjilan.

Dy ndeshjet tjera zhvillohen të dielën. Ballkani pret Feronikelin ’74 në Suharekë, ndërsa Malisheva përballet me Gjilanin në stadiumin Liman Gegaj, me të dyja sfidat që nisin nga ora 16:00.
Një fundjavë tjetër e futbollit elitar kosovar pritet të sjellë emocione, ndërsa skuadrat synojnë pikë të rëndësishme në fillimin e sezonit. /Telegrafi/












































