'Nuk ishe aty për të më ndihmuar', Trump lë të kuptohet se nuk do ta mbështeste Britaninë nëse Argjentina do të pushtonte Ishujt Falkland

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund të mos ndërhyjnë në mbështetje të Britanisë në rast të një sulmi të ri argjentinas ndaj ishujve Falklands, duke rikthyer në qendër një prej mosmarrëveshjeve më të ndjeshme territoriale në Atlantikun e Jugut.
Në një intervistë për GB News, Trump kujtoi luftën e vitit 1982, kur Argjentina tentoi të merrte kontrollin e ishujve dhe Britania dërgoi një forcë të madhe detare për t’i rimarrë.
Por, kur u pyet nëse do të vinte në ndihmë të Britanisë në rast të një pushtimi të ri, presidenti amerikan e lidhi përgjigjen me marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve, transmeton Telegrafi.
Trump kritikoi Londrën për mungesën e mbështetjes në fushatën ushtarake kundër Iranit, duke thënë se Britania “nuk ishte aty për ta ndihmuar” dhe duke shtuar se vendi “nuk po ecën mirë”.
Komentet e tij vijnë në një moment veçanërisht të ndjeshëm, pasi presidenti argjentinas Javier Milei, një aleat i afërt i Trump, pritet të mbajë një fjalim televiziv mbi çështjen e ishujve Falklands, të cilët Argjentina i quan Malvinas.
Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur tradicionalisht një qëndrim neutral në mosmarrëveshjen mbi sovranitetin e ishujve. Megjithatë, Trump ka sinjalizuar së fundmi se kjo politikë mund të jetë duke u rishikuar, duke nxitur spekulime se Uashingtoni po përdor çështjen si presion ndaj Londrës për një bashkëpunim më të madh ushtarak.
Përplasja lidhet edhe me qëndrimin britanik ndaj konfliktit me Iranin. Qeveria e Keir Starmer fillimisht refuzoi të merrte pjesë në ofensivën amerikano-izraelite kundër Iranit, përpara se më vonë të autorizonte forcat britanike të merrnin pjesë në operacione të karakterit “mbrojtës”.
Britania gjithashtu nuk pranoi kërkesën e Trump për të dërguar marinën për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.
Trump e kishte kritikuar ashpër më herët Starmerin, duke e quajtur “jo Churchill”, ndërsa kishte deklaruar se një ofertë britanike për dërgimin e një aeroplanmbajtëseje kishte ardhur shumë vonë. Qeveria britanike e kishte mohuar se një ofertë e tillë ishte bërë.
Ndërkohë, Londra vazhdon të këmbëngulë se sovraniteti britanik mbi Falklands nuk vihet në diskutim. Në referendumin e vitit 2013, plot 99.8 për qind e banorëve të ishujve votuan për të mbetur territor britanik, me një pjesëmarrje prej 92 për qind.
Lufta e vitit 1982 mes Britanisë dhe Argjentinës zgjati rreth dhjetë javë dhe përfundoi me rikthimin e kontrollit britanik mbi ishujt. Konflikti la të vrarë 649 argjentinas, 255 britanikë dhe tre banorë të ishujve.
Tani, më shumë se katër dekada më vonë, çështja e Falklands po rikthehet në skenën ndërkombëtare, ndërsa marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Londrës përballen me një moment të ri tensioni.
Çështja mund të bëhet edhe më e ndjeshme gjatë vizitës së ardhshme të kryeministrit britanik në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të diskutohet edhe mbështetja amerikane për Ukrainën.






































