LAJMI I FUNDIT:

Xhemajli: Skandal korruptiv me ‘Minierën e Re’ të KEK-ut, Qeveria po abuzon qindra miliona euro të shtetit

Xhemajli: Skandal korruptiv me ‘Minierën e Re’ të KEK-ut, Qeveria po abuzon qindra miliona euro të shtetit

Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar sot skandalin në lidhje me vendimet e dyshimta për ndërtimin e “Minierës së Re”, të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemajli, ka thënë se fillimisht ish-kryeministri Ramush Haradinaj, mandej qeveritë në vijim të Kurtit dhe Hotit, kanë vendosur që ta ndërtojnë “Minierën e Re”, në drejtimin e gabuar, në fushën e qymyrit në “Veri N1”, e jo në “Fushën Jug” e cila ishte pronë e KEK-ut.


“Ky është një vendim me dëm të madh ekonomik për buxhetin dhe qytetarët sepse rezultatet e studimeve të tre kompanive të përfshira tregojnë përparësitë e padiskutueshme të fushës së Jugut, ku mbi 90 për qind e tokës në Fushën e Jugut është tokë e KEK-ut”, ka thënë deputeti Xhemajli, duke shtuar se, “braktisja e pronës publike dhe orientimi në prona private përbën një rast të pastër të korrupsionit”.

Sipas tij, zhvillimi i minierës në fushën kah Veriu për të cilën është marrë vendimi, paraqet dëmtim kolosal të rezervave minerare dhe perspektivës zhvillimore.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të marrë drejtimin e duhur për krijimin e ‘Minierës së RE’ në Fushën Jug, e mos të dëmtoj, në mënyrë të pariparueshme, resurset nacionale. Në të kundërtën, nëse vazhdon kjo rrugë e nisur, provohet qartë se Qeveria Hoti synon të vazhdojë një rrugë të abuzimit të parave të shtetit, përmes korrupsionit që, i cili do t’i kushtojë qindra milionë euro qytetarëve taksapagues”, shtoi Xhemajli. /Telegrafi/