“X Factor” pritet të rikthehet në ekran pas shtatë vitesh.

Spektakli, i cili në kulmin e tij tërhoqi rreth 19 milionë shikues, u bë i njohur për zbulimin e artistëve si Leona Lewis dhe grupit One Direction.


Pas 15 serish, “X Factor” u tërhoq nga ekranet, ndërsa më pas u krijuan edhe dy versione spin-off, “X Factor: Celebrity” dhe “X Factor: The Band”.

Një nga emrat kryesorë që mund të rikthehet është Simon Cowell, por këtë herë jo domosdoshmërisht si pjesë e panelit të jurisë, shkruan DailyMail.

Sipas burimeve, po shqyrtohet mundësia e një paneli më të ri dhe më të freskët, me fytyra të reja, ndërsa Cowell mund të ketë një rol prapa skenave.

Rikthimi vjen në një moment kur ITV po kërkon formate të reja që mund të tërheqin audiencën, veçanërisht gjatë fundjavave.

Ideja është që “X Factor” të përshtatet me epokën e rrjeteve sociale dhe të rikthehet me një qasje moderne, duke ruajtur njëkohësisht elementët që e bënë spektaklin një prej programeve më të suksesshme muzikore në Britani. /Telegrafi/