Vulin nuk tregon detajet nga takimi për Kapitullin 35


Në të ashtuquajturin skreening të Kapitullit 35, është bërë analiza e të arriturave të deritanishme në procesin e dialogut dhe janë definuar sfidat që e presin Serbinë në këtë proces.
Pala negociatore serbe ka refuzuar që të zbulojë detaje nga ky takim.
Kryenegociatori për kapitullin 35, Aleksandar Vulin ka deklaruar se pritjet e tij janë se Brukseli do të vlerësojë, sipas tij, “interesat legjitime të Serbisë”.
Vulin pranon se Kapitulli 35 është i pari në historinë e negociatave të anëtarësimit në Bruksel.
Sipas tij, nëpërmjet të këtij kapitulli BE do monitorojë dialogun e Brukselit dhe premton se nuk do të dalin çështje të reja, jashtë atyre që trajtohen në dialogun politik në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Vulin refuzon që të jep definicionin e asaj se çfarë nënkupton Brukseli në kornizën negociuese kur parasheh nënshkrimin e dokumentit legalisht detyrimor në mes të Kosovës e Serbisë, e i cili do të çojë deri te normalizimi gjithëpërfshirës e raporteve në mes të dy vendeve.
Kapitulli 35 konsiderohet ndër kapitujt kyç në procesin negociator në mes të Bashkimit Evropian dhe Beogradit, i cili do ta çojë Serbinë deri te anëtarësimi i plotë. Duke pas parasysh peshën e kapitullit, i njëjti do jetë ndër të parët që do të hapet formalisht, por edhe i fundit që do mbyllet, sepse përmbyllja e tij do shënojë ndoshta edhe përmbylljen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë. /RTK/Telegrafi/






































