LAJMI I FUNDIT:

Vrasjet që cenojnë sigurinë publike

Vrasjet që cenojnë sigurinë publike

Tri vrasje, të shkaktuara gjatë përleshjeve me armë zjarri, kanë ndodhur brenda pak ditëve të gushtit, në territorin e Kosovës.

Këto incidente të armatosura shihen si shqetësuese nga ekspertë të sigurisë, pasi, sipas tyre, siguria publike po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme.


Vrasja e fundit ka ndodhur të enjten, në komunën e Skenderajt, në qendër të Kosovës. Në një kafene, në fshatin Runik, një 39-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur.

Tri ditë më parë, më 7 gusht, në një lokal në qytetin e Klinës, në pjesën perëndimore të Kosovës, me armë zjarri u vra një person rreth të 50-tave.

Kurse, më 4 gusht, në një kafene në qendër të Prishtinës, një person u vra dhe 17 persona të tjerë u plagosën gjatë një përleshjeje me armë zjarri.

Nga janari deri në korrikun e 2023-ës kanë ndodhur 14 vrasje, prej të cilave dy nga pakujdesia, sipas autoriteteve të rendit në Kosovë. Ndërkaq, në vitin 2022 janë regjistruar 21 vrasje, dy prej të cilave janë shkaktuar, po ashtu, nga pakujdesia.

Armët pa leje, shqetësuese

Numri i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve në Kosovë paraqet problem për sigurinë publike, thotë profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami.

Ai thekson se shqetësues është sidomos fakti se ditëve të fundit vrasjet kanë ndodhur në lokale që frekuentohen nga qytetarët.

“Kur persona të paautorizuar, me armë ilegale, hyjnë pa problem në lokal, pronarët e lokaleve duhet të jenë të kujdesshëm, ose të përdorin mekanizma që identifikojnë armët, në mënyrë që të ndalohen dhe të lajmërohem këta persona”, shprehet Islami.

Islami konsideron që autoritetet e sigurisë duhet të shtojnë veprimet e tyre, për të larguar armët pa leje nga duart e qytetarëve. Në këtë mënyrë, sipas tij, mund të rritet niveli i ruajtjes së qetësisë publike.

“Armët e gjata, ose armët luftarake, është dashur moti të dorëzohen. Ndërkaq, për armët e vogla është dashur të bëhet një vetëdijesim nga ana e shtetit, në mënyrë që qytetarët që posedojmë armë, të pajisen me leje. Po ashtu, të vetëdijesohen, që arma e lejuar për shtëpi të mos lejohet të bartet jashtë saj”, vlerëson ai.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë shifër rreth numrit të armëve pa leje në duart e civilëve.

Por, një hulumtim i vitit 2015, i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, tregon se janë 250 mijë armë ilegale në pronësi të qytetarëve.

Mbi 600 armë ilegale të konfiskuara për 7 muaj

Institucionet e sigurisë në Kosovë prej vitesh realizojnë projekte, fushata të ndërgjegjësimit dhe plane operative, që ndërlidhen me parandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale, thonë nga Policia e Kosovës.

Gjatë një viti, sipas PK-së, konfiskohen deri në 1.500 armë të ndryshme ilegale dhe deri 40 mijë municione të kalibrave të ndryshëm.

Vetëm nga janari deri në korrikun e sivjetmë, Policia e Kosovës pohon se ka konfiskuar 636 armë zjarri ilegale, kurse vitin e kaluar 1.437 sosh.

Për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike, forcat e rendit nga 8 gushti kanë filluar zbatimin e një plani operativ, të quajtur “Goditja”.

Gjatë këtij plani, thuhet në një komunikatë, do të ketë kontrolle të shtuara policore ndaj personave dhe ndaj automjeteve, me qëllim të gjetjes dhe të konfiskimit të armëve dhe të mjeteve tjera të rrezikshme për jetën.

Plani parasheh, po ashtu, rritjen e numrit të patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë kafene dhe bare nate.

Kryeqyteti do Polici të veten

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është qyteti më i frekuentuar nga qytetarët, ndërsa ka numrin më të madh të lokaleve.

Për këtë arsye, zyrtarë të Komunës së Prishtinës po e konsiderojnë nevojë urgjente krijimin e policisë së veçantë për kryeqytetin.

Drejtori për siguri dhe emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, thotë për Radion Evropa e Lirë se krijimi i kësaj policie do të parandalonte krimet eventuale, dhe do të rriste nivelin e sigurisë publike në kryeqendrën kosovare.

Krijimi i policisë së kryeqytetit parashihet edhe me Ligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2018.

Sipas këtij ligji, Policia e Kosovës duhet të themelojë Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e kryeqytetit, Prishtinë. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Lajme
Kalo në kategori