LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e Marigona Osmanit, në maj nis rigjykimi ndaj Krivaqës e Sejdiut

Vrasja e Marigona Osmanit, në maj nis rigjykimi ndaj Krivaqës e Sejdiut

Më 16 maj të këtij viti do të mbahet rigjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit në Ferizaj. Gjykata Themelore në Ferizaj njofton se më 16 maj nis seanca gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurit Dardan Krivaqa.

Sipas njoftimit, për vrasjen e Marigona Osmanit akuzohen Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.


“Ju njoftojmë se më 16 maj 2024, duke filluar nga ora 10:00, është planifikuar të mbahet seanca gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryerje vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryerje vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Seanca do të mbahet në sallën e gjykimit I, në objektin të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe është e hapur për publikun.

Marigona Osmani është vrarë më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa në Ferizaj.

Tetë muaj më parë, për vrasjen e Marigona Osmanit, Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, për veprën penale “vrasje e rëndë”. Ndërkaq, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”. Ndërsa, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim. /Kp/Telegrafi/