LAJMI I FUNDIT:

Vrasës të gjuhës së nënës

Vrasës të gjuhës së nënës
Ilustrim

Nga: Bajram Karabolli

Të vrasësh gjuhën e nënës është një ndër krimet më të shëmtuara, më të neveritshme. Dhe, e keqja është se tek ne nuk ka ligj për t’i ndëshkuar këta derdimenë që masakrojnë dhe e marrin nëpër këmbë gjuhën tonë të bukur. Ata vrasin fjalën shqip dhe në vend të saj vënë një fjalë të huaj. Dhe, janë pikërisht ata që pushtojnë ekranet dhe mediat tona. Janë gazetarët dhe politikanët.


Duke ndjekur emisionin Opinion, drejtuar nga njëri prej gazetarëve “më të shquar”, dëgjon që ai të përsëritë shumë herë fjalën “trend”, në vend të fjalës shqipe prirje. Dhe, që e keqja të shkojë deri në fund, këtë fjalë të huaj, “trend”, si të qenkësh një mall i florinjtë, e përdorin edhe dy-tre të ftuar, midis tyre një zonjë me mbiemrin Luarasi … O Zot, mban mbiemrin e të madhit Petro Nini, e atij që njëqind e ca vjet më parë u tha antishqiptarëve:

“Vritmëni, por mblidhmani gjakun se do t´u duhet nipërve dhe mbesave tuaj që të shkruajnë gjuhën shqipe.”

Dhe, të pushton zemërimi e neveria, dhe betohesh se nuk do ta shikosh më atë të mallkuar “Opinion”. Ky gazetar “i madh”, nga njerëzit më të paguar të këtij vendi (vallë për të vrarë gjuhën e nënës së tij?!), ku flitet shqip, përdor fjalën e huaj “relaks”, e cila në shqip ka disa sinonime: prehje, çlodhje, kënaqësi, etj.; përdor fjalën jo shqip: “spacio”, në vend të fjalës shqipe “hapësirë”; në vend të flasë shqip dhe të thotë: zbatoi, vuri në jetë, etj., flet në një gjuhë të tjetër dhe thotë: “implementoi” … Thotë, e ç´nuk thotë ky vrasës i shqipes sonë, thotë kaq shumë fjalë të huaja, të panevojshme, në vend të fjalëve të bukura shqip, sa të ikën truri.

Por, po të ishte vetëm ky, ne do të qeshnim me të dhe vetëm kaq. Fatkeqësisht ata janë shumë, janë ata që nuk i ndahen syrit dhe veshit tonë dhe që kanë aftësinë e çuditshme as të mos lodhen së foluri dhe as të mos ngecin në llaf.

O Perëndi e madhe, pse këta derdimenë përdorin fjalë të huaja në vend të atyre shqip?! Mos vallë për t´u dukur se dinë gjuhë të huaja? Apo, thjesht nga injoranca?

Por, çështja nuk është se këta bëhen qesharakë dhe të urryer për shqiptarët që i dëgjojnë (kudo qofshin këta të fundit), çështja është se këta po prishin, po vrasin, po masakrojnë gjuhën që u ka mësuar nëna e tyre.

Kush do të na e mbrojë shqipen tonë të bukur nga këta “modern” barbarë?!