Kosova edhe një herë dëshmoi mbarëvajtje të suksesshme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, duke konfirmuar funksionimin e institucioneve dhe shtetit të së drejtës, thonë nga VLEN.

"VLEN e vlerëson këtë proces dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në përcaktimin e drejtimit politik të vendit.


Në këtë frymë urojmë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe subjektin e tij politik Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur, i cili, sipas rezultateve të zgjedhjeve, rikonfirmon besimin e qytetarëve në disa cikle zgjedhore radhazi.

Ne shprehim shpresën dhe besimin që ky mandat të shërbejë për forcimin e institucioneve stabile, funksionale dhe gjithëpërfshirëse në Republikën e Kosovës, në funksion të zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Njëkohësisht, VLEN thekson rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dy shtete mike dhe partnere strategjike në rajon, me qëllim forcimin e stabilitetit, integrimit evropian dhe zhvillimit të përbashkët", thuhet në njoftimin e VLEN./Telegrafi/