Këngëtarja dhe tekstshkruesja Vjollca Robelli-Mripa po shënon kthimin e saj guximshëm në muzikë përmes dy këngëve “Zare” dhe “Burrnesha”, të cilat do t’i performojë live për herë të parë në koncertin që do te mbahet në kuadër të festivalit FEMART më 30 Maj 2017 në teatrin Oda në Prishtinë.

Pas një shkëputje prej një dekade, Robelli-Mripa është bashkuar me muzikantët e njohur Aram Zarikian dhe Danny Rico nga Londër, për të punuar në atë që ajo e beson dhe njëherësh për t’i falur adhuruesve të muzikës një frymë më ndryshe. Në këto bashkëpunime është inspiruar nga trashëgimia shqiptare muzikore duke e ngritur me mjeshtri zhanrin e muzikës folklorike në përzierje me xhaz të avancuar dhe origjinal.


Kënga “Burrnesha” është tregim prekës, por në të njëjtën kohë është edhe tregim inspirues për karakterin e gruas së fortë e cila hedh poshtë marrëveshjet fshatare të një martese të aranzhuar për të fituar lirinë personale – përderisa sakrifikon mundësinë që të ketë fëmijë e të ndërtojë familjen e saj – ajo vendos të jetojë si Burrneshë.

“Koha është që të sfidojmë qëndrimet tradicionale ndaj gjinisë dhe statusit të femrave në shoqëri”, thotë Robelli Mripa.

Ndërsa, kënga “Zare” është një riinterpretim i një kënge shumë të dashur folklorike, me një ngjitje eklektike të përzierjes së influencave duke mbajtur shqiptimin melodik të origjinalit.

Këtë kapitull të ri të karrierës së saj, ku më mirë ta filloj se në festivalin Femart - i pari dhe më i madhi festival feminist ne Ballkan i cili bashkon artistët dhe aktivistët nga e gjithë bota.

“Jam shumë e lumtur që këngët e para të albumit tim do të kem rastin t’i performojë së pari në vendlindjen time. Kam bashkëpunuar me muzikantët e njohur Aram Zarikian dhe Dany Rico të cilët kanë punuar në të gjithë Evropën, e gjithashtu edhe në SHBA. Ata kanë pasur performanca live me bende, orkestra muzikale, produksione teatrale duke u paraqitur në skena të të gjitha madhësive. Gjithashtu kanë performuar edhe në radio dhe televizion, si Later Will Jools Holand, Glastunbury, Royal Albert Hall, dhe shumë vende të tjera të njohura. Me këtë bashkëpunim shpresoj të ju sjell një frymë të re në muzikën tonë”, tregon Robelli Mripa në lidhje me muzikantët me të cilët ka bashkëpunuar.
Albumi i parë i saj pritet që të dalë gjatë vitit 2017.

Këngëtarja u bë e famshme në vitin 2002 me hitin e saj “Ajo” duke qëndruar në vendin e parë të top listave të radiove dhe televizioneve si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. “Ajo” ishte hiti numër një në Top Albania Radio dhe fitoi çmimin e festivalit Videofest në kategorinë “Best Rock Video” në vitin 2002; fitoi edhe vendin e dytë në koncertin e BBC-së “Top of the Pops” në Prishtinë. Në të njëjtin vit Robelli ishte “Youth Music Ambassador” në Prishtinë. /Telegrafi/