LAJMI I FUNDIT:

Vizita e përbashkët SHBA-BE në Kosovë, indikator se shumë shpejt do të kemi rifillim aktiv të dialogut

Vizita e përbashkët SHBA-BE në Kosovë, indikator se shumë shpejt do të kemi rifillim aktiv të dialogut

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak gjatë vizitës që patën në Prishtinë, siguruan se bashkëpunimi ndërmjet SHBA-së dhe BE-së sa i përket dialogut Kosovës-Serbi “është i shkëlqyeshëm”.

E kjo vizitë e dy zyrtarëve të lartë nga SHBA-ja dhe BE-ja po shihet si sinjal pozitiv për rifillim të dialogut.


Kështu ka vlerësuar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili në një prononcim për Telegrafin theksoi se kjo vizitë bëri të qartë edhe rikthimin e SHBA-ve në procesin e dialogut.

Palmer: Asociacioni të bëhet ashtu si të merren vesh Kosova dhe Serbia
Lexo po ashtu Palmer: Asociacioni të bëhet ashtu si të merren vesh Kosova dhe Serbia

“Vizita e sotme Matthew Palmer dhe Miroslav Lajçak, përbënë një moment pozitiv për zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut. Tani kemi edhe rikthimin e SHBA në këtë proces, meqenëse deri më tani SHBA edhe pse ka qenë e përfshirë në proces përmes kontributeve anësore, vizita e tyre së bashku përbënë një mesazh për të gjitha palët e në veçanti për Kosovën, se SHBA do të jetë e përfshirë ndonëse jo në formatin siç e kemi parë më herët përmes të deleguarve të posaçëm apo emisarëve siç ka qenë rasti me Grenellin”, u shpreh Cakolli.

Cakolli theksoi se ardhja e tyre në Prishtinë, është indikator se shumë shpejt do të kemi rifillim aktiv të dialogut, dhe me shumë gjasë palët e në veçanti Kosova do të përballen me presion për të arritur një marrëveshje përfundimtare, e cila në bazë të deklarimeve të dy zyrtarëve duhet të arrihet sa më shpejt.

“Mbetet problematik fakti që Palmer dhe Lajçak nuk kanë folur për ndonjë rezultat të mundshëm të dialogut. Palmer përmend njohjen reciproke në mënyrë eksplicite, në anën tjetër Lajçak i cili me retoriken e tij të zakonshme flet për asociacionin duke thënë se i mbetet palëve të dakordohen”, tha Cakolli.

Eugen Cakolli-KDI

Ai shtoi se një qasje e tillë duke mos e bërë të qartë se cilat janë kërkesat e faktorit ndërkombëtar në raport me Kosovën dhe Serbinë, ka bërë që të dy palët të interpretojnë sipas versioneve të tyre marrëveshjen përfundimtare ligjërisht obligative, ku sipas tij shpesh herë kjo qasje ka kontribuuar në rritjen e tensioneve mes palëve edhe degradimin e procesit në çështje të karakterit teknik.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Palmer tha të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve, duke shtuar se SHBA e mbështet fuqishëm këtë proces.

Në anën tjetër, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se vizita dy ditore në Prishtinë, kishte për qëllim që të siguronte që takimi Kurti-Vuçiq të jetë i suksesshëm, takim ky i cili pritet të mbahet së shpejti në Bruksel. Palmer dhe Lajçak qëndruan në Kosovë, ku u takuan me zyrtarët institucionalë dhe politikë.

Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi: Pas pak ditësh do të mbahet takimi i parë Kurti-Vuçiq
Lexo po ashtu Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi: Pas pak ditësh do të mbahet takimi i parë Kurti-Vuçiq

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

SHBA-ja, gjatë administratës së Donald Trumpit kishte emëruar Richard Grenellin të dërguar të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

Në kuadër të përpjekjeve amerikane për normalizimin e marrëdhënieve, më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash, parasheh disa projekte infrastrukturore, siç janë linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, autostrada mes dy shteteve dhe lidhjet hekurudhore. /Telegrafi/