LAJMI I FUNDIT:

Vitin e kaluar 15 punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës

Vitin e kaluar 15 punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës
Pamjet nga ndërtimet në Prishtinë | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Vetëm në vitin 2022 në Kosovë 15 qytetarë kanë vdekur në vendin e tyre të punës.

Një shifër e tillë po konsiderohet shqetësuese edhe nga kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi.

Nikçi i ftuar në emisionin Kallxo Përnime, në të cilin po prezantohen gjetjet e raportit mbi të drejtat e punëtorëve, tha se vdekjet në vendin e punës janë të gjitha në sektorin e ndërtimtarisë.

Kryeinspektori i Punës tha se në pjesën e dytë të vitit 2022 kanë kryer mbi 6 mijë inspektime në terren. Nga këto 6 mijë inspektime janë shqiptuar mbi 400 gjoba.

“Ne kemi arritur që në pjesën e dytë të vitit të arrijmë synimin e ERA-së që është pjesë e MSA-së. Synimi ka qenë 6 mijë, ne kemi bërë 6 mijë e 32 inspektime. Prej këtyre 6 mijë inspektimeve kemi 400 e ca gjoba. Kjo natyrisht ka rritur vetëdijesimin te bizneset”, tha Nikçi.

“Në të kaluarën nuk ka qenë praktikë apo ndonjë reformë që bizneset të gjobiten. Atyre u ka shqiptuar vërejtje edhe nëse ka qenë recidivist. Gjobat janë shqiptuar në raste të rralla ndërsa tani ne kemi filluar një politikë tjetër me gjoba”, shtoi ai.

Nikçi shtoi se janë duke punuar drejt krijimit të data bazës.

Ai theksoi se deri në fund të vitit “duhet të ketë një data bazë të krijuar”.