LAJMI I FUNDIT:

Vitia në vitin 2019 me buxhet prej 11.3 milionë euro

Vitia në vitin 2019 me buxhet prej 11.3 milionë euro

Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e 9-të të rregullt. Me këtë rast janë votuar dhe shqyrtuar të gjitha pikat e parapara me rendin e ditës. Megjithatë diskutimi më i gjatë është bërë për Draft Buxhetin e Komunës së Vitisë për vitet 2019-2021 i cili po ashtu është votuar me shumicë votash.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se kjo komunë ka punuar shumë që buxheti komunal në veçanti lista për investime kapitale të hartohet bashkërisht me qytetarët e kësaj komune por edhe me kategoritë e ndryshme të shoqërisë.

“Kemi punuar shumë në hartimin e këtij buxheti komunal i cili do të jetë në interes të gjithë qytetarëve vitias përfshirë edhe kategoritë e ndryshme të shoqërisë. Ky buxhet në veçanti lista për investime kapitale është bërë në bashkëpunim me qytetarët tani pasi që kemi mbajtur diskutime për planifikimin e buxhetit komunal në shumë lokalitete të kësaj komune”, u shpreh Haliti.

Ai tha se edhe pse ky buxhet nuk është i mjaftueshëm në krahasim me kërkesat dhe nevojat të cilat i kanë qytetarët kjo komunë po bënë përpjekje që me donatorë të ndryshëm të realizoj sa më shumë projekte të cilët ndryshojnë për të mirë jetën e qytetarëve të kësaj komune.

Sipas Buxhetit Komunal 2019-2019 të cilën e prezantoj Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Komuna e Vitisë do ta këtë një buxhet prej gjithsej 11.345.554 euro për vitin 2019. Ky buxhet pritet të ndahet në këtë formë: paga e mëditje 7.309.561 euro , mallra e shërbime 1.481.703 euro, shpenzime komunale 221.000 euro, subvencionime e transfere 210.000 euro si dhe shpenzime kapitale 2.123.287 euro.
Derisa këshilltarët e Kuvendit Komunal nga partitë në pozitë e vlerësuan si pozitiv këtë buxhet partitë opozitare paraqitën vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. /InfoKomuna/ Telegrafi/