LAJMI I FUNDIT:

Virusi që po e “ndryshon” anglishten!

Virusi që po e “ndryshon” anglishten!

Këtë fundjavë unë jam duke u karantinuar me ekipin tim të karantinës. Do të jemi mirë bashkë, pasi të gjithë jemi të lodhur nga Zoom-i në kompjuter. Do të takohemi në ambiente të jashtme, kështu që nuk do të ketë më nevojë për PPM (Pajisje Personale Mbrojtëse), por përsëri do ta ruajmë distancën sociale. Mbi të gjitha, ne nuk jemi kovidiotë (covidiots – neologjizëm britanik për të përshkruar ata që nuk kanë frikë nga virusi – shën. i përkth.) dhe sigurisht që nuk duam një valë të dytë. Nëse duhet të mbyllemi për ta rrafshuar përsëri kurbën, përndryshe ky do të ishte një korona-apokalips.

Një vit më parë, një paragraf si ky i mësipërmi do të kishte qenë i pakuptueshëm. Ndërsa tani ai është i qartë si një mburojë pleksiglasi.


Pandemia tetëmujore ka pasur një ndikim kaq të madh në gjuhën angleze sa që redaktorët e Fjalorit të nderuar të Oksfordit kanë bërë deri më tani dy përditësime speciale për ta dokumentuar atë. Qeveria kanadeze ka përpiluar një fjalor pandemik, me shpjegimet e fjalëve që nga antigjeni deri te zoonoza. Specialisti i zhargoneve në King’s College të Londrës, Tony Thorne, ka përpiluar një leksik për lockdown-in (izolimin).

Për shkak të një mikrobi të ri mikroskopik, bisedat tona të përditshme janë të mbushura tani plot me zhargon mjekësor dhe epidemiologjik, siç janë “ngarkesa virale” dhe “gjurmimi i kontakteve”.

Paralajmërimet si “Pa maskë nuk hyni dot” janë po aq të kudogjendshme sa tabelat e sinjalistikës rrugore.

Jemi gjithashtu duke përdorur gjuhën për të lehtësuar tmerrin e jetës pandemike, duke përqafuar zhargonet, lojërat e fjalëve, shkurtesat, memet dhe fjalë të reja budallaqe që ndërthurin tingujt dhe kuptimet e fjalëve ekzistuese.

“Ky proces nuk është i ri. Ajo që ndryshon është shkalla e tij”, thotë Andrea Beltrama, një sociolinguist në Universitetin e Pensilvanisë. “Kjo është një situatë sociale, mjekësore, psikologjike, politike dhe ekonomike që na prek të gjithëve. Ndikon në argëtim, punë dhe marrëdhënie. Ne tani kemi një pamje të qartë se si formohet gjuha”.

A do të zhduket gjuha popullore e pandemisë kur normaliteti (me shpresë) të kthehet?

“Do të jetë interesante të shohim pas 20 vitesh se çfarë ngeci dhe çfarë jo”, thotë Beltrama. “Bërja e një fjale pjesë e leksikut është një hap i madh drejt normalizimit të një situate krejtësisht anormale”.

Në shkurt, kryekirurgu amerikan, Jerome Adams, shkroi në Twitter: “Seriozisht njerëz – ndaloni blerjen e maskave! Ato nuk janë efektive në parandalimin e publikut të gjerë nga infektimi me koronavirus!”.

Por, studimet që nga ajo kohë kanë treguar se maskat, madje edhe ato prej pëlhure, me të vërtetë ndihmojnë në mbrojtjen e bartësve nga kapja, si dhe përhapja e virusit.

ShBA-ja është e vetme në krijimin e mesazheve të rrëmujshme.

Gjuhëtari britanik, Rodney Jones, ka analizuar evolucionin e sloganeve që ishin pjesë e njoftimeve të përditshme të koronavirusit nga dy zyrtarë të Sistemit Kombëtar Shëndetësor Britanik (NHS) dhe kryeministri Boris Johnson, vetë një i mbijetuar i Covid-19.

Në fillim, një pjesë e sloganit “Rri në shtëpi, mbro NHS, shpëto jetën” u shfaq në secilin prej tre podiumeve gjatë informimit të opinionit publik britanik. Por, kjo, spekuloi Jones në artikullin e tij në internet, kishte të ngjarë të çonte në grindje.

“Si mund të rrije në shtëpi dhe të shpëtoje jetë”, pyet ai në mënyrë provokative.

Ky problem u zgjidh duke i dhënë secilit podium një poster me të tre frazat e tkurrura dhe të grumbulluara vertikalisht – duke e bërë parullën praktikisht të palexueshme nga disa metra larg.

Në maj doli një parullë krejtësisht e re – “Qëndro vigjilent. Kontrollo virusin. Ruaj jetën”.

Autorja e Harry Potter-it, JK Rowling pyeti në Twitter se “A është koronavirusi që nuhat rreth e rrotull? Çfarë dreqin do të thotë ‘qëndroni vigjilent’?”

Gjuhëtarja e Universitetit të Oksfordit, Deborah Cameron, shkroi në Twitter se “është një virus, jo një mashtrim në internet ose një komplot terrorist. Çdo të thotë qëndrim vigjilent?”.

Në mars, presidenti Donald Trump u kritikua që e quajti koronavirusin “një virus kinez”.

“Nuk është aspak raciste, jo, aspak. Vjen nga Kina, prandaj. Unë dua të jem i saktë”, tha Trump.

Disa javë më vonë, ai ra dakord të ndalonte përdorimin e kësaj etike ofenduese duke postuar në Twitter se përhapja e virusit nuk ishte faji i aziatiko-amerikanëve “në asnjë mënyrë ose formë”.

Mediat digjitale dhe sociale e kanë bërë më të lehtë përhapjen e paragjykimeve dhe ksenofobisë. Kur sifilizi shpërtheu për herë të parë në Evropë në vitet 1400, anglezët dhe italianët e quajtën atë sëmundje franceze. Francezët e quajtën sëmundjen e Napolit. Polakët e quajtën atë sëmundje gjermane. Rusët e quajtën atë sëmundje polake. E kështu me radhë.

Pandemia e gripit në vitin 1918 që vrau 20 milion njerëz në mbarë botën u quajt “gripi spanjoll” – jo sepse dikush e dinte se ku kishte origjinën, por sepse qeveria spanjolle ishte e sinqertë për shpërthimin në Spanjë, ndërsa vendet e tjera minimizonin ose mohonin atë që po ndodhte brenda kufijve të tyre.

“Gjuha pasqyron dhe përforcon paragjykimet”, thekson Beltrama në Penn.

A e dini se karantina vjen nga italishtja “quaranta giorni”?. Do të thotë 40 ditë apo thënë akoma më ndryshe, kjo ishte koha që Venecia i detyroi njerëzit të qëndronin në anije në port për të frenuar epidemitë në shekullin XIV.

Terma të tjerë pandemikë janë të vjetër, por të ripozicionuar, duke i shtyrë leksikografët të shtojnë kuptimet e përditësuara.

Disa terma teknike janë shndërruar në simbole.

“Rrafshoni kurbën” është një koncept epidemiologjik, i kompletuar me një grafik tashmë të njohur, që do të thotë frenim i përhapjes së sëmundjes për të shmangur mbingarkimin e spitaleve.

Por, në pranverë, fraza u shndërrua në një qortim për njerëzit që refuzuan masat paraprake.

“Në pak kohë, vura re bare dhe kafene që kishin tabela që thoshin: ‘Na ndihmo të rrafshojmë kurëbn”, kujton Beltrama.

“Fjalët që hyjnë në fjalorin e ri duhet të jenë të qarta… Nëse doni që kontributi juaj në fjalorin e koronavirusit të jetë i vlefshëm, atëherë ju duhet të loboni jo tek ata që shkruajnë fjalorët, por te miqtë dhe kolegët dhe t’i bëni ata t’i përdorin dhe t’i publikojnë ato”, shkruan nga ana e saj revista e njohur “The Economist”. /atsh/